Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ministrin e Punëve të Jashtëm të Çekisë, Sh.T.Z. Tomas Petricek

  • Postuar më, 15/03/2019

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtëm të Çekisë, Sh.T.Z. Tomas Petricek, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takim ishin të pranishëm z. Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të PS, znj. Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Senida Mesi, Zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian dhe z. Rakip Suli, Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Çeki.

Duke i uruar Ministrit të Jashtëm çek një vizitë të frytshme në vendin tonë, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dypalëshe mes dy vendeve të konkretizuara edhe me vizita të ndërsjellëta të nivelit të lartë. Z. Ruçi falenderoi z. Petricek për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer, që Çekia i ka dhënë vendit tonë.  “Ju keni qenë një avokat i shkëlqyer në përpjekjet tona në hapjen e negociatave dhe ju jemi shumë mirënjohës, ju dhe gjitha vendeve të Vishegradit, dhe jemi të bindur që kjo mbështetje do vazhdojë”.

Ministri i Jashtëm çek, z. Petricek u shpreh se Çekia është një mik i Shqipërisë dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. “Qëllimi i vizitës sime është të shpreh mbështetjen e Republikës Çeke në rrugën tuaj drejt BE-së. Në vlerësojmë reformat e vendit tuaj, progresin me reformën në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit, e krimit të organizuar,  në administratën publike, çka më bëjnë optimist për një vendim pozitiv për Shqipërinë në muajin qershor,” tha z. Petricek.

Gjithashtu, z. Petricek tha se, shpresonte që, vendi ynë të avanconte me miratimin e ligjit të ri zgjedhor, si një ligj shumë i rëndësishëm për vendin dhe që, duhet të ketë konsensusin e maxhorancës dhe opozitës. Lidhur me miratimin e ligjit zgjedhor z. Ruçi u shpreh: “Projektligji është në tryezën e punës të Kuvendit. Ai është përgatitur me ndihmën e ekspertëve të OSBE/ODHIR dhe ekspertëve gjermanë, por nuk arriti të miratohet, sepse nuk pati konsensusin e opozitës. Maxhoranca e shtriu dorën e bashkëpunimit duke pritur propozimet e opozitës dhe duke deklaruar që, ishte e hapur të miratonte propozimet e saj. Për fat të keq, nuk erdhi asnjë propozim”. Z. Ruçi, i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij ligji, siguroi z. Petricek se ky ligj dhe miratimi i tij do të vazhdonte të ishte në vëmendjen e tij si Kryetar i Kuvendit ndërkohë që, po vijon procesi i hyrjes në parlament të deputetëve të opozitës.”

Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Çekisë, në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe shprehën interesin e përbashkët për rritje të bashkëpunimit në fushat e turizmit, bujqësisë, transportit, energjisë, etj. Gjithashtu, ata ndanë idenë se megjithëse shkëmbimet parlamentare kanë qenë të kënaqshme, ata duhen intensifikuar edhe me tej, pasi shkëmbimet mes parlamentareve si përfaqësues të zgjedhur të popullit, sjellin popujt më afër njëri-tjetrit.