Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi në Konferencën e XVI të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane.Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia, avokatë të hapjes së negociatave me Shqipërinë

  • Postuar më, 20/03/2019


Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, mori pjesë në Konferencën e XVI të Kryetarëve të Parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane, e cila u mbajt në Budva, të Malit të Zi, në datat 18-19 mars.

Në fjalën e tij, në Konferencë, z. Ruçi nënvizoi se: “Rajoni Adriatiko-Jonian, është një ndër zonat më  pjellore dhe më të bukura të globit, por për shkak të rrethanave të historisë, nuk është as ndër më të pasurit, as ndër më produktivët në botën e sotme. Teza e ekonomistëve bashkëkohorë, se atje ku natyra i përkëdhel kombet dhe njerëzit, ekziston rreziku, që ata nuk impenjohen sa duhet për zhvillimin e ekonomive produktive dhe prosperitetin e vendeve të tyre, druaj se vlen edhe në rastin e rajonit tonë.”

Kryetari i Kuvendit z. Ruçi, përshëndeti Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, si vende anëtare të Nismës, për vizionin europian dhe guximin e përgjegjshmërinë në zgjidhjen përfundimisht të mosmarrëveshjeve dhe mbështetjen e fuqishme, që i hapën rrugë përshpejtimit të proceseve integruese të Maqedonisë së Veriut. Z. Ru?i inkurajoi anëtarin tjetër të Nismës, Serbinë, të ecë me vendosmëri drejt një dialogu të sinqertë dhe produktiv me Kosovën, dialog, i cili me mbështetjen dhe bekimin e partnerëve strategjikë, BE dhe SHBA, të prodhojë zgjidhje të dobishme e të qëndrueshme, që garanton zhvillimin, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe të gjithë rajonit.

“Nisma Adriatiko-Joniane, e cila po mbush dy dekada, ka shërbyer si një katalizator zhvillimi, integrimi, globalizimi dhe mirëqenieje për të gjitha vendet e rajonit. Filozofia e “Deklaratës së Ankonës”, ka funksionuar më së miri.  Duke lidhur natyrshëm Bashkimin Europian me Europën Jug-Lindore dhe  Europën me Mesdheun, vendet tona ia kanë arritur që mbi këtë urë natyrore të bashkëndërtojnë ura ekonomike, tregtare, kulturore, vlerash dhe miqësish midis njerëzve punëtorë e paqedashës të rajonit”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

Shqipëria e ka pasur dy herë Presidencën e nismës, gjatë viteve 2005-2006 dhe 2013-2014, dhe të dyja presidencat shqiptare kanë qenë të suksesshme dhe promotor të integrimit e bashkëpunimit rajonal.

Duke u ndalur në temën kryesore të Konferencës, zhvillimin e turizmit dhe kulturës, Kryetari i Kuvendit z. Ruçi nënvizoi se, këta sektorë janë ndër “magnetët” më të fuqishëm që tërheqin, nxisin e bashkojnë popujt e qytetarët, si dhe ekonomitë e tregjet.

Asnjë rajon nuk ofron më shumë sesa rajoni Adriatiko-Jonian mundësi e  burime për të garantuar një rritje ekonomike blu, të kombinuar me atë të gjelbër. Nuk duhet t’u lejojmë kombeve dhe qeverive tona, luksin për të mos i shfrytëzuar këto mundësi”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit z. Ruçi.   

Ai, u ndal edhe në rolin e emigrantëve dhe të diasporave si agjentë të miqësisë, zhvillimit të turizmit dhe fqinjësisë e shkëmbimeve kulturore midis vendeve të rajonit dhe kontinentit.

Roli i parlamenteve, është thelbësor për mbarëvajtjen, realizimin e qëllimeve dhe produktivitetin e Nismës Adriatiko-Joniane. Kuvendi i  Shqipërisë, ka qenë vendimtar në mbështetjen e qeverisë, institucioneve dhe agjencive të vendit, për përfshirjen aktive në aktivitetet dhe programet rajonale në kuadrin e  Nismës.

Ne, e konsiderojmë diplomacinë parlamentare një instrument të fuqishëm, jo vetëm për nxitjen e bashkëpunimit politik e diplomatik, por edhe ekonomik e tregtar. Askush më  mirë se parlamentet, si organizata demokratike e pluraliste, nuk mund të  bëhet shprehës më autentik i interesave të qytetarëve, komuniteteve, grupeve të interesit, sipërmarrësve  e tregjeve.

Kuvendi i Shqipërisë, mbështet fuqimisht reformat në të gjithë sektorët, por me përparësi ato që lidhen me integrimin rajonal dhe integrimin europian. Aktualisht, Kuvendi është i angazhuar në realizimin e prioritetit kryesor të Shqipërisë, atë të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, në qershor 2019.

Kryetari i Kuvendit,  shprehu  mirënjohjen për mbështetjen që Italia, Greqia, Sllovenia dhe Kroacia, si shtete anëtare të Bashkimit Europian dhe njëkohësisht anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë, në rrugëtimin e saj evropian. Z. Ruçi shprehu bindjen se kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe gjatë këtyre muajve vendimtarë, deri në qershor 2019, mbështetje, e cila u konfirmua nga të gjithë kryeparlamentarët e këtyre vendeve, të pranishëm në Konferencë.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi, u kërkoi vendeve anëtare të Nismës Adriatiko-Joniane, që t’u dërgojnë njëzëri shteteve anëtare të BE-së mesazhin se pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk do të jetë një problem më tepër, por një vlerë e shtuar për këtë organizatë të madhe e të fuqishme demokratike, kërkesë, e cila u mbështet fuqimisht, nga të gjithë kryeparlamentarët e nëntë vendeve anëtare të Nismës.

Gjatë qëndrimit në Budva, Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi zhvilloi një takim  me Kryetarin e  Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokovic. Pasi falenderoi homologun për mbështetjen, që Kroacia i ka dhënë dhe po i jep integrimit europian të Shqipërisë, z. Ruçi  nënvizoi se Shqipëria dëshiron të përfitojë nga përvoja kroate, parlamenti i së cilës miratoi me konsensus të gjithë paketën e  ligjeve të përafrimit me legjislacionin europian, mbi 600 ligje.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë z. Jandrokovic, nënvizoi se, 10 vitet e parë të anëtarësimit në NATO, i kanë afruar  më shumë Shqipërinë dhe Kroacinë, dhe kanë fuqizuar partneritetin e lidhjet e fuqishme historike midis të dy vendeve. “Kroacia do të vazhdojë të jetë një avokate e fuqishme e Shqipërisë dhe do të lobojë fort për hapjen e negociatave, në qershor 2019, duke bindur udhëheqësit e rinj evropianë, mbi rëndësinë e avancimit të procesit për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet  e tjera, të Ballkanit Perëndimor”, vuri në dukje kryeparlamentari  z.Jandrokovic, i cili premtoi se parlamenti kroat, do t’i japë Kuvendit të Shqipërisë, asistencën dhe përvojën e vet, në procesin e hapjes së negociatave. Me këtë rast, Kryetari z.Jandrokovic, përsëriti ftesën drejtuar Kryetarit të Kuvendit, z.Ruçi, për vizitë zyrtare në Kroaci, vizitë e cila, do të realizohet së shpejti.


Edhe gjatë takimit me Kryetarin e  Parlamentit të Sllovenisë z.Dejan Židan, Kryetari z.Ruçi shprehu bindjen se, mbështetja e Sllovenisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë do të vazhdojë, duke mbështetur hapjen e negociatave, në qershor 2019. Kryeparlamentari slloven z.Židan, premtoi mbështetjen e fuqishme të Sllovenisë, për hapjen e negociatave, në qershor 2019 dhe vuri në dukje se: “Nga pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojë jo vetëm ky rajon, por  edhe vetë Bashkimi Europian. Zgjedhjet e majit, janë me rëndësi edhe për politikat e zgjerimit, të cilat duhet të vazhdojnë. Udhëheqësit europianë duhet të mbajnë parasysh, përparimin e madh të këtyre vendeve, të cilat po kapërcejnë me guxim, mjaft barriera shekullore drejt paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian.

Kryetari z.Židan, ftoi Kryetarin e Kuvendit, z.Gramoz Ruçi,  për vizitë zyrtare në Slloveni, vizitë e cila, do të realizohet së shpejti.



Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, zhvilloi një takim edhe me  Kryetarin e  Parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajovic. Me homologun malazez, u diskutua, mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e politik midis të dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve e marrëdhënieve ndërparlamentare, si nxitëse të bashkëpunimit, në të gjitha fushat. Kryetari z.Ruçi i përsëriti  Kryetarit të  Parlamentit të Malit të Zi, z.Brajovic, ftesën për vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të zhvillohet në muajt e ardhshëm. Të dy kryeparlamentarët ranë dakord, që Parlamenti i Malit të Zi, të ndihmojë Kuvendin e Shqipërisë, me asistencë e përvojë, sidomos në negocimin e kapitujve të veçantë, të marrëveshjes.