Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me OSBE/ODIHR, organizuan një Workshop, mbi Legjislacionin me Ndjeshmëri Gjinore

  • Postuar më, 20/03/2019

20 mars 2019

 

Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me OSBE/ODIHR, organizuan një Workshop, mbi Legjislacionin me Ndjeshmëri Gjinore

Pjesë e këtij workshopi, ishin ambasadori z. Bernd Borchardt, kryetar i Prezencës së OSBE-së, në Shqipëri, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, znj. Ajla Van Heel, këshilltare për çështjet gjinore, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Claudia Vollmer, shefe e Departamentit te Demokratizimit, Prezenca e OSBE-së, në Shqipëri, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si edhe staf mbështetës i Kuvendit.

Çështjet që u diskutuan gjatë Workshopit, ishin mbi legjislacionin me ndjeshmëri gjinore, në praktikë, si edhe parimet për zbatimin e tij, standarde ndërkombëtare dhe praktika të ndryshme për barazinë gjinore dhe parlamentet me ndjeshmëri gjinore, institucionalizimi i legjislacionit me ndjeshmëri gjinore, në Shqipëri etj.

Zëvendëskryetarja znj. Hysi, gjatë fjalës së saj, tha se Kuvendi ka rritur ndjeshmërinë gjinore, gjatë hartimit të legjislacionit dhe monitorimit të tij.

“E gjithë paketa e Reformës në Drejtësi ka ndjeshmëri gjinore dhe këtu  vlen ta theksojmë që ka qenë kontributi i Kuvendit të Shqipërisë, meqenëse kjo reformë është zhvilluar në Kuvend. Ligji për Parandalimin e Dhunës në Marrëdhëniet Familjare, ligji për Strehimin Social, ligji për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti, Kodi i Punës, Kodi Penal dhe një sërë ligjesh të tjera, janë përmirësuar gjithnjë në kuadër të nevojave. Në kuadër të Kontrollit Parlamentar, Kuvendi ka bërë progres lidhur me ngritjen e mekanizmit ndërinstitucional për monitorimin dhe rekomandimin e institucioneve të pavarura, ka ngritur 4 nën komisione, të cilat fokusohen në fushën e të drejtave të njeriut, dy rezoluta të rëndësishme të miratuara, etj”- u shpreh znj. Hysi.

Ambasadori z. Borchardt, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se ky seminar bazohet në standardet ndërkombëtare, të vendosura në optikën e rajonit, duke sjellë këtu ekspertë ndërkombëtarë dhe ish-ligjbërës, për të ndarë përvojat e tyre, si edhe ky diversitet bart shumë aspekte pozitive dhe tregon se gjithë përfshirja është një përparësi e drejtuesve të lartë të Kuvendit.

“Për ne është një kënaqësi e madhe që Asambleja e Republikës së Shqipërisë, ka miratuar disa ligje që synojnë një gjithë përfshirje sa më të gjerë, me më shumë përfitime, përmes një qasjeje që ruan njëherazi këndvështrimin dhe fokusin gjinor. Arritjet nuk mund të mohohen. Shqipëria ka sot ligje për barazi gjinore në strukturat vendim-marrëse dhe institucionet shtetërore. Legjislatura e tanishme ka numrin më të madh të grave parlamentare, që nga viti 1990. Kodi Zgjedhor, ka vendosur një kuotë prej 30%, për kandidaturat e grave në zgjedhjet e përgjithshme dhe 50% , në zgjedhjet vendore. Por arritjet nuk duhen marrë si të dhëna njëherë e përgjithmonë dhe ne nuk duhet të rreshtim përpjekjet tona të përbashkëta, që të garantojmë ecjen përpara, duke mos lejuar kthim mbrapa, në këto zhvillime pozitive”- theksoi ndër të tjera z. Borchardt.

Më tej, deputetja znj. Eglantina Gjermeni, në cilësinë e kryetares së nën komisionit për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave,  vuri theksin se kKvendi është i angazhuar për çështjet e barazisë gjinore dhe se të gjitha përmirësimet ligjore dhe disa ligje që kanë kaluar në parlament kanë këndvështrim gjinor, falë angazhimit dhe vullnetit politik që ekziston.

“Kemi fatin që kemi numrin më të madh të grave në parlament dhe në Këshilla Bashkiak, kjo falë edhe ndryshimeve ligjore që janë bërë. Hap tjetër i rëndësishëm, është përmirësimi i kuadrit ligjor, i impaktit që ka dhe monitorimit që ne mund t’i bëjmë ligjeve nga këndvështrimi gjinor, për të pasur impakt të njëjtë, si tek gratë edhe tek meshkujt. Kjo është sfida jonë ë përbashkët”- tha znj. Gjermeni.

Workshopi, vazhdoi me diskutime të ndryshme, ku u përfshinë tema, si mbështetja për gratë deputete, bashkëpunimi ndërpartiak dhe disiplina partiake, bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile me fokus gjinor, fuqia vendimmarrëse, anëtarësi e larmishme etj.

Gjithashtu, në përfundim të workshopit u prezantua dhe një plan për të ardhmen, hapat që do ndërmerren më tej, fokusi kryesor, si edhe analiza gjithëpërfshirëse me bazë gjinore, si komponenti thelbësor i Legjislacionit me Ndjeshmëri Gjinore.