Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 21/03/2019


 Në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare, duke miratuar dy projektligje dhe tre projektvendime të rëndësishme.

Në nisje të seancës, zoti Ruçi, bëri me dije disa projektligje të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.

Seanca vijoi me betimin e deputetëve të rinj të opozitës, z. Ralf Gjoni, znj. Enada Koçiraj dhe z. Nimet Musaj, të cilët pas marrjes së mandateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bënë betimin.

Më pas, në seancë u paraqit Raporti i veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Ujit për vitin 2018 ,nga kreu i këtij institucioni z. Ndriçim Shani, që më pas u miratua me 73 vota pro dhe 5 kundër.

Seanca vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I”.

Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, foli z. Ervin Bushati, i cili theksoi se Gjermania dhe KFW kanë investuar në Shqipëri mbi 1 miliard euro gjatë këtyre viteve, që ka qenë partnere e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Evropës.

“Një pjesë e madhe e këtyre fondeve, - vijoi më tej z. Bushati, - janë investuar në sistemin e energjisë, duke e stabilizuar atë, edhe duke e bërë një motor rritjeje për ekonominë dhe garanci të mirëqenies së qytetarëve shqiptar. Ky sektor i ekonomisë, që ka qenë një peshë e varur në qafën e shoqërisë shqiptare, më në fund ka dalë nga problematika dhe po kthehet në një kapital zhvillimi. Qytetarët shqiptar nuk kanë më probleme me energjinë në shtëpinë e tyre, edhe për bizneset nuk është më problem. Energjia po fillon të kthehet edhe në një burim të ardhurash dhe mirëmbajtja e këtij sistemi ndikon dhe zhvillon ekonominë shqiptare”.

Ky projektligj u miratua me 82 vota pro asnjë kundër

Për Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale” në emër te grupit parlamentar te Partisë Socialiste, fjalën e mori znj. Eglantina Gjermeni.

“Projektligji që ne po diskutojmë sot, - tha në fjalën e saj znj. Gjermeni, - është një nisëm tepër e rëndësishme për një nga sektorët më strategjikë të vendit, konkretisht për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimin rural. Zhvillimi rural në Shqipëri, - vijoi më tej znj. Gjermeni, - është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga Qeveria Gjermane në kuadër të marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy shteteve. E gjithë marrëveshja është një dokument që ka si synim kryesor intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes vendit tonë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, përmes bashkëpunimit. Asistenca e dhënë do të jetë plotësisht komplementare me Strategjinë Ndërsektoriale të Zhvillimit Rural dhe Bujqësor 2014-2020, në zbatim të politikave për rritjen e qëndrueshmërisë në fermë dhe konkurueshmërinë në bujqësi dhe agropërpunim. Dua të theksoj edhe perspektivën e mëtejshme të këtij financimi, mbështetur në dakordësinë dhe angazhimin e Qeverisë Gjermane gjatë negociatave mes dy shteteve, për shtesën e financimit me një vlerë 8 milion euro në kuadër të mbështetjes për këtë projekt”, - theksoi znj. Gjermeni.

Ky projektligj u votua me 82 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Seanca vijoi me votimin e Projektvendimit “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Pas diskutimeve projektligji u miratua me 73 vota pro dhe 4 kundër.

Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në komisionet e përhershme” u miratua me 82 vota pro asnjë kundër.

Seanca i mbylli punimet me miratimin e kalendarit 3-javor rreth orës 16:30.