Komisioni për Politikën e Jashtme dhe dy komisione të tjera, miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi një projektligj
- Postuar më, 26/03/2019
Komisioni për Politikën e
Jashtme shqyrtoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit,
ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së
Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit
ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2017”.
Të ftuar në mbledhjen e
komisionit për këtë projektligj ishin z. Sokol Dedja zëvendësministër për
Evropën dhe Punët e Jashtme znj. Daniela Çekani drejtore për Fondet
IPA, znj. Iris Kruja përgjegjëse e Sektorit për Politikat Ekonomike.
Z. Dedja u shpreh se ky projektligj do të miratojë marrëveshjen
e financimit që përmban alokimet e vitit 2017 për programin e bashkëpunimit
kufitar Shqipëri-Mal i Zi.
“Programi synon
zhvillimin socio-ekonomik të zonave ndërkufitare, forcimin e bashkëpunimit
midis dy vendeve, shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e politikave publike, në
zonat që për Shqipërinë përfshin qarkun e Shkodrës, qarkun e Lezhës dhe Bashkinë
e Tropojës. Programimi i alokimeve financiare të këtij programi 2014-2020, bëhet
çdo vit mbi bazë vjetore dhe sot diskutojmë alokimin e vitit 2017.”, theksoi ndër
të tjera z. Dedja.
Pas diskutimeve dhe
pyetjeve, kryetarja e Komisionit znj. Mimi Kodheli e hodhi projektligjin në
votim ku u miratua nga anëtarët në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Projektligji “Për
ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të
Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian,
për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi –
Shqipëri, alokimet e vitit 2017”, u shqyrtua edhe në komisionin për Sigurinë
Kombëtare si edhe në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe
të Drejtat e Njeriut, ku në të dyja komisionet u miratua në parim, nen për nen
dhe në tërësi.