Komisioni për Integrimin Europian zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, në BE.

  • Postuar më, 27/03/2019

Komisioni për Integrimin Europian zhvilloi seancë dëgjimore me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, në BE.

I pranishëm në Komisionin parlamentar të Integrimin Europian, për të raportuar para deputetëve, mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë, në Bashkimin Europian, për vitin 2018, ishte  Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj.

Në fjalën e tij, ministri z.Cakaj  deklaroi se viti 2019 është deciziv për Shqipërinë dhe presim një vendim pozitiv për hapjen e negociatave.

 “Vendimi i fundit i Këshillit të  Çështjeve të Përgjithshme, për Shqipërinë  i 26 qershorit, të vitit 2018, është i rëndësishëm për tre çështje kryesore: së pari, konfirmon të gjeturat e raportit të progresit të Komisionit Europian; së dyti, konfirmon arritjet e Shqipërisë në pesë prioritet kyçe; vlerëson rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe faktin që Shqipëria vepron në përputhshmëri absolute me parimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, së BE-së”, u shpreh z. Cakaj.

Sipas tij, Shqipëria ka gëzuar mbështetjen e shumicës absolute të shteteve anëtare, duke treguar qëndrueshmërinë e reformave të ndërmarra.

Gjithashtu, ministri z. Cakaj tha se vlen të theksohet mundësia e punës përgatitore me Komisionin Europian,  në procesin “screening”.

“Kemi filluar procesin e “screening” për Kapitullin 24, janë kapituj hapës të këtij procesi dhe kemi vazhduar me ekzaminimin analitik të 18 kapitujve të legjislacionit, të BE-së dhe pesë prioritete kyçe kanë patur një progres të konsiderueshëm. Gjithashtu, kemi dorëzuar kontributin tonë final pranë Komisionit, me progresin që ka ndodhur deri me tani në Shqipëri.”

Sakaq, ministri u ndal tek  përgatitja teknike dhe administrative e institucioneve Shqiptare, për të përballuar dinamikat, në rastin e hapjes së negociatave për anëtarësim.

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, znj. Senida Mesi vlerësoi  punën e bërë nga Komisioni për Integrimin Europian dhe Kuvendi i Shqipërisë, lidhur me përafrimin e legjislacionit, i cili ka një ecuri shumë pozitive.

Znj. Mesi tha se shpresojmë që  Bashkimi Europian, bazuar mbi faktet dhe progresin e bërë nga  Shqipëria, të marr një vendim pozitiv  për hapjen e negociatave.

 Po sot, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi  projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin 103/2016, “Per Akuakulturën”, duke ia kaluar për miratim seancës plenare.