Komisioni për Integrimin Europian , zhvilloi një seancë dëgjimore me Ministren e Drejtësisë , znj Etilda Gjonaj .

  • Postuar më, 01/04/2019

Në drejtimin e zëvendëskryetares, znj Senida Mesi, komisioni për Integrimin Evropian zhvilloi sot një seancë dëgjimore me ministren e Drejtësisë. znj. Etilda Gjonaj. Dëgjesa fokusohej në prioritetet e reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Ministrja Gjonaj, në krye të fjalës së saj theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit si pjesë e  prioriteve kryesore të Komisionit Evropian.

“Për sa i përket reformës në drejtësi" – vijoi znj Gjonaj, "që prej vitit 2018, Shqipëria ka ruajtur dhe thelluar ritmin e procesit te reformës dhe ka konsoliduar përmbushjen e pesë prioriteve kyce për integrimin ne BE. Reforma në drejtësi është instrumenti kryesor që shtyn përpara ecurinë e reformave të tjera vecanërisht luftën kundër korrupsionit dhe atë kundër krimit të organizuar".

“Disa nga arritjet, për sa i përket sistemit gjyqësor dhe reformës në drejtësi për t’u përmendur është që në dhjetor të vitit 2018 u ngritën Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe sot kanë kryer një sërë procesesh lidhur me pjesën e funksionimit të tyre",-tha ministrja e Drejtësisë. “Për sa i përket veprimtarisë se komisioneve të pavarura të Vetting-ut, procesi ka ecur me ritme te mira dhe deri në datën 11 mars, numri i vendimeve ka qenë 110, 50 vendime kanë qenë për konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve, 44 vendime për shkarkim nga detyra dhe 20 vendime për dorëheqje. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i zgjedhur nga Kuvendi ka filluar nga funksionimi që në janar të 2019-s. KED-i ka shpallur thirrjen për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe pasi të kryejë gjithë procesin e verifikimit të kandidatëve Inspektori i Lartë i Drejtësisë, do të zgjidhet nëpërmjet procedurave të përcaktuara nga ligji dhe është Kuvendi i Shqipërisë ai që do e miratojë me shumicë të cilësuar. Gjithashtu Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kryer gjithë procesin për plotësimin e dokumentacionit dhe njëkohësisht është në procesin e verifikimit të kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese  dhe deri në Qershor 2019, do të kemi Gjykatë Kushtetuese të plotësuar me vakanca , me qëllim që të arrihet kuorumi për të pasur vendimmarrje  Paralelisht jemi në proces për ngritjen e Prokurorisë së Posacme .Këshilli I Lartë i Prokurorisë ka hapur vakancat për të thirrur kandidatë të cilët do të aplikojnë për të qenë pjesë e SPAK dhe është arritur të hartohen rregulloret sesi do të bëhet renditja e kritereve profesionale dhe të integritetit të figurës të kandidatëve për SPAK-un. Në të njëjtën situatë është dhe Gjykata e Posacme, ku Keshilli i Lartë Gjyqësor ka kryer gjithë veprimtarinë , me qëllim që kur SPAK të ngrihet edhe Gjykata e Posacme të jetë në funksion.Pra , për sa i përket  Institucioneve  të  reja të Drejtësisë , të cilat ishin planifikuar për t’u ngritur" – u shpreh në komision znj. Gjonaj,  duke shtuar se disa prej tyre janë në proces dhe disa kanë përfundur procesin.

“Për sa i përket luftës kundër korrupsionit",- vijoi znj Gjonaj, Ministria e Drejtësisë ka marrë një sërë masash dhe kjo pikësëpari lidhet me miratimin e planit të veprimit nga qeveria shqiptare në Prill te vitit 2018 për parandalimin e korrupsionit .Risia që solli ky plan për vitin 2018, ishte se , u përfshinë ato institucione që kishin një efektshmëri më të lartë për parandalimin e korrupsionit dhe ngritja e Task-Forces antikorrupsion, e cila do të merrte masa represive në rastet e gjetjes së shkeljeve apo rasteve të korrupsionit .Gjithashtu në prill të vitit 2018 u ngrit Komiteti Kordinues i cili drejtohet nga Ministri i Drejtësisë dhe në përbërje të saj ka nga 1 zv/ministër , për cdo ministri , i cili është përgjegjës për zbatimin e të gjitha masave , në varësi të asaj cfarë parashikon plani i masave".

Në vijim anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe diskutime rreth raportit të ministres.