Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vizitë informuese pranë Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil

  • Postuar më, 02/04/2019

2 prill 2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në kuadër të përmbushjes së funksionit të kontrollit parlamentar, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, zhvilloi një vizitë informuese pranë Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Anëtarët e komisionit u pritën nga znj. Pranvera Strakosha, komisionere. Znj. Strakosha i njohu deputetët me veprimtarinë e institucionit përgjatë 5 vjetëve, që nga themelimi i tij si institucion, si edhe me problematikat e vërejtura gjatë ushtrimit të detyrës.

Znj. Strakosha u ndal te problematikat e hasura në drejtim të zbatimit të ligjit të nëpunësit civil me bashkitë e vendit dhe institucionet e tjera, si edhe në mënyrë përshkruese u ndal te dita e punës së institucionit në të gjitha hallkat: inspektim, relatim dhe vendimmarrje nga komisioneri. Vëmendje gjithashtu mori edhe procedura e ndjekjes së ankesave.  Theksi në raportimin e komisioneres Strakosha u vu te një problematikë e lidhur me zbatimin e rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për të parë dhe verifikuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si problematikë e mbartur ndër vite.

“Në fazën e parë ne në fakt kemi grumbulluar të gjitha vendimet gjyqësore në 112 institucione, që është shifra në raport, pa përfshirë institucionet e varësisë, sepse ishte punë shumë voluminoze. Kemi mbledhur vendimet gjyqësore dhe konstatuam që institucionet kishin vështirësi edhe në dhënien e informacionit. Nuk kuptonin se ç’u ishte kërkuar. Dërgonim punonjësin tonë që t’i merrnin një e nga një vendimet gjyqësore. Kemi konstatuar që kanë mbetur pa ekzekutuar 311 vendime, për të cilat do të vazhdojmë me fazën e dytë, për të vazhduar me ekzekutimin konkret”,- u shpreh znj. Pranvera Strakosha.

Deputetët e pranishëm në vizitë ngritën pyetje dhe dhanë sugjerimet e tyre lidhur me çështje të caktuara që lidhen me veprimtarinë e institucionit të Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Kryetari i komisionit parlamentar, z. Ulsi Manja, sugjeroi gjithashtu lidhur me çështjet e nevojshme për t’u përfshirë në relatimet mujore, materialet e shkurtra tremujore dhe raportet vjetore që Komisioneri i paraqet komisionit parlamentar.

Deputetët u njohën edhe me mjediset e reja të institucionit, të restauruara nga buxheti i shtetit. Vizita informuese në Komisionin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, është e dyta në radhën me tetëmbëdhjetë institucione të tjera në fushën e mbikëqyrjes parlamentare të komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.