Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për Policinë Gjyqësore”

  • Postuar më, 09/04/2019


 

Në drejtimin e Kryetares znj. Ermonela Felaj,  Komisioni për Sigurinë  Kombëtare, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, u mblodh sot, ku shqyrtoi dhe miratoi në parim projektligjin “Për Policinë Gjyqësore”

 

Të pranishëm në komision, për të prezantuar projektligjin  ishin znj. Vasilika Hysi, në cilësinë e  firmëtares së projektligjit, si dhe prokurorët z. Alfred Progonati dhe z. Kujtim Luli nga  Prokuroria e Përgjithshme.

Kryeatrja e Komisionit të Sigurisë znj. Felaj, sqaroi në krye të fjalës së saj se, projektligji “Për Policinë Gjyqësore” është një ndër projektligjet e paketës së reformës në drejtësi.

 

Ndërsa znj. Hysi në fjalën e saj, e vuri  theksin te objektivat e këtij projektligji dhe nënvizoi faktin që kjo është një nismë ligjore e përgatitur nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, të Komisionit për Reformën në Drejtësi. Sipas znj. Hysi ky projektligj  i është nënshtruar një diskutimi të gjërë  konsultash  me një sërë institucionesh, si me Policinë Gjyqësore, Prokurorinë  e Përgjithshme, Policinë e Shtetit , misionin EURALIUS etj

“ Objektivi i parë dhe kryesor që synon projektligji, është që të riorganizojë nga pikëpamja strukturore dhe funksionale ligjin e Policisë Gjyqësore, dhe kjo është një nga arsyet pse ka marrë kaq shumë kohë dhe nuk ka kaluar së bashku me paketën e ligjeve të tjera të reformës në drejtësi”- u shpreh znj. Hysi. Më pas ajo theksoi se: “ Lidhur me organizimin dhe funksionimin, grupi i punës ka sjellë disa riformulime, lidhur me varësinë dhe ushtrimin e funksioneve të Policisë Gjyqësore , me organizimin e këtyre shërbimeve, me mënyrën e emërimit, promovimit të oficerëve të policisë Gjyqësore”.

Gjatë fjalës së saj znj. Hysi u shpreh se Komisioni i Policisë Gjyqësore, sipas ndryshimeve të propozuara nga grupi ekspertëve, nuk do të jetë më një organ që krijohet pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë , por është një organ kolegjial, që do të ketë në përbërje një prokuror që propozohet nga Prokurori I Përgjithshëm, nje oficer të  Policisë Gjyqësore , i cili po ashtu propozohet nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga një anëtar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit , i cili caktohet nga drejtori i Policisë së Shtetit”

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga ana e anëtarëve të komisionit , projektligji u miratua në parim.