Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë, i përbërë nga z. Ervin Bushati, kryetar i delegacionit dhe anëtaret, znj. Eglantina Gjermeni dhe znj. Klotilda Bushka, morën pjesë në sesionin e radhës të APKiE. Kroacia: Mbështesim qeverinë dhe reformën në drejtësi.

  • Postuar më, 10/04/2019

Gjatë punimeve të sesionit, delegacioni zhvilloi një takim me  Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme kroate, znj. Marija Pejcinovic Buric, njëkohësisht njëra nga dy kandidaturat zyrtare për Sekretar të Përgjithshëm, të Këshillit të Evropës.

Gjatë takimit, dy palët vlerësuan marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm dypalësh dhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe.

Anëtarët e delegacionit shqiptar, prezantuan arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe të reformave të integrimit, përcaktuar nga Këshilli Europian, dhe kërkuan mbështetjen e Kroacisë për çeljen e negociatave në qershor 2019. 
Integrimi në BE është fokusi ynë kryesor!
"Reforma jonë në Drejtësi është kurora e reformave tona si mazhorancë, dhe shumë e inspiruar nga rastet më të suksesshme si Kroacia: kampione në luftën kundër Korrupsionit në Europë".

Ministrja e Jashtme e Kroacisë znj. Buric, përgëzoi delegacionin për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE, mbi të gjitha duke vlerësuar në mënyrë të veçantë Reformën në Drejtësi dhe u shpreh se Kroacia do vijojë të mbështes Shqipërinë, pasi besonte se, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, ishte në BE. 
"Reforma në Drejtësi, legjislacioni i ri dhe sidomos ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë janë më të thellat dhe efikaset në Europë, edhe më radikale apo më të mëdha se ato, në Kroaci."

Kroacia është mbështetëse kryesore, sot por dhe në Qershor 2019, e procesit të Integrimit për Shqipërinë & Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë në familjen e Bashkimit Europian.” 
Angazhimi me BE i Ballkanit Perëndimor është prioritet!

Zëvendëskryeministrja dhe Ministria e Punëve të Jashtme kroate, i prezantoi delegacionit platformën e saj, si kandidate për Sekretar të Përgjithshëm, të Këshillit të Evropës, duke kërkuar mbështetjen e delegacionit shqiptar në këtë garë. 
Votimi për Sekretar të Përgjithshëm të KiE do të jetë gjatë sesionit të qershorit të APKiE.