Miratohen në Kuvendin e Shqipërisë dy Raporte vjetore

  • Postuar më, 11/04/2019

Në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare, ku u prezantuan dy raporte, 

Raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për mbrotjen nga diskriminimi për vitin 2018 si edhe u paraqit raporti për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në fillim të seancës, kryetari i Kuvendit z. Ruçi,  lexoi formulën e betimit për 3 deputetët e rinj të opozitës, të cilët u betuan sot në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu, u betua z. Korab Lita deputet i qarkut Tiranë, z.Arlind Çaçani deputet i qarkut Korçë dhe z. Halil Jakimi deputet i qarkut Dibër.

Gjate prezantimit të raportit të veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2018, në fjalën e tij  Komisioneri z. Robert Gajda u shpreh se mbetet shqetësues diskriminimi i strukturuar i cili lidhet me mohimin e të drejtave në grupe individësh apo komunitete në mënyrë të vazhdueshme dhe të zgjatur në kohë, si edhe evidentohet diskriminimi për personat me aftësi të kufizuar, personat me pamundësi ekonomike, personat me kontekste sociale të vështira. Gjithashtu z. Gajda tha se në aspektin funksional, një praktikë e mirë e vendosur midis Institucioneve publike dhe KMD është dhënia e mendimeve në momentin e draftimit të akteve ligjore dhe nënligjore dhe se në lidhje me këtë gjatë vitit të kaluar janë dhënë 13 mendime me shkrim për akte ligjore dhe nënligjore, ndërkohë që janë dhënë 4 rekomandime të veçanta në lidhje me situata problematike me qëllim zgjidhjen e tyre nga autoriteti përkatës.

“Për këtë vit zyra e KMD, nisur dhe nga numri i ankesave, do të ketë prioritet disa shkaqe kryesore diskriminimi si raca, aftësia e kufizuar, gjendja shëndetësore si dhe fëmijët dhe gratë, rritja e bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm shoqërorë, shtetërorë dhe ndërkombëtarë. Të bëhet pjesë e sa më shumë studimeve, monitorimeve dhe trajnimeve të institucioneve në lidhje me barazinë dhe mos diskriminimin, rritja e ndërgjegjësimit sidomos në zonat jashtë Tiranës, rritja e numrit të rekomandimeve dhe vendimeve duke përmirësuar gjithmonë cilësinë e tyre. Në aspektin e politikave të brendshme të KMD, prioritetet strategjike janë përditësimi i rregulloreve dhe procedurave të brendshme ndryshimi i dispozitave të Ligjit "Për mbrojtjen nga diskriminimi". N? aspektin e politikave të jashtme të KMD, prioritetet strategjike janë intensifikimi dhe rritja e komunikimit me publikun etj.”- theksoi ndër të tjera z. Gajda.

Projektrezoluta u miratua me 83 vota pro.

Më pas, në seancë u paraqit edhe raporti për vitin 2018 mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku u shprehen mbi ecurinë e procesit deputetë të ndryshëm, kryetarë komisionesh, si edhe komisioni përgjegjës i cili është komisioni për Integrimin Evropian.

Kryetarja e komisionit për Integrimin Evropian znj. Senida Mesi, tha se në Qershor 2018 Këshilli i BE përcaktoi një rrugëtim të qartë drejt hapjes së negociatave me Shqipërinë për në Qershor 2019, duke mos shtuar asnjë kusht të ri, por duke kërkuar vazhdimin dhe realizimin e reformave me të njëjtën vendosmëri dhe përgjegjshmëri.

“Kuvendi ka përmirësuar dukshëm funksionimin e strukturave për procesin e integrimit evropian siç janë komisioni i Integrimit Evropian, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian dhe Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit, të cilët kanë luajtur një rol kyç për monitorimin e reformave të kërkuara dhe plotësimin e rekomandimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian.”, tha znj. Mesi.

Projektrezoluta u miratua me 86 vota pro.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 15:45.