Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë shqyrtoi në parim një projektligj

  • Postuar më, 15/04/2019

15 prill 2019

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e znj. Klodiana Spahiu, në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi në parim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10107 datë 30.03.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. E pranishme në komision për paraqitjen e projektligjit ishte ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu. Lidhur me propozimet e sjella relatoi deputetja e Partisë Socialiste, znj. Edlira Bode. Komisioni u njoh sot me dy anëtarët e rinj në përbërjen e tij, deputetët Majlinda Halilaj dhe Enver Roshi. 

Znj. Manastirliu e konsideroi projektligjin e sjellë si më të rëndësishmin e organizimit të sistemit të kujdesit shëndetësor. Ndryshimet, sipas saj, kanë marrë vlerësim të imtësishëm për problematikat e organizimit dhe funksionimit të sistemit, mbështeten në objektivat e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe reflektojnë disa përmirësime që vijnë si rrjedhojë e disa objektivave në strategjinë e kujdesit shëndetësor 2016-2020. Për ministren e Shëndetësisë projektligji reflekton pritshmëritë e qytetarëve në drejtim të përmirësimit të shërbimeve në të tre nivelet, pritshmëritë e profesionistëve të shëndetit, ndryshimet e demografike dhe punën e bërë ndër vite në sektorin e shëndetësisë.

Krijimi i dy këshillave të posaçëm për të konsultuar politikat dhe programet për t’u ndërmarrë nga ministria, si Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë dhe Këshilli Kombëtar i Pacientëve; krijimi i lidhjes së drejtpërdrejtë mes licencimit dhe akreditimit të strukturave që ofrojnë shërbime shëndetësore për të siguruar cilësinë e shërbimeve shëndetësore; futja e konceptit të ri të “auditit klinik”, që formalizon kontrollin e pajisjes dhe zbatimit të protokolleve mjekësore; unifikimi i integruar i sistemit elektronik shëndetësor, që racionalizon dhe rrit efikasitetin e burimeve njerëzore, si edhe thjeshton dhe digjitalizon proceset e brendshme dhe të jashtme të rrugëtimit të dosjes klinike të pacientit; përfshirja në ligj e portalit “Infermier për Shqipërinë”, si një lloj certifikimi i standardit të rekrutimit transparent e me bazë meritokracinë; lidhja mes edukimit në vazhdim dhe licencimit të profesionistëve; vendosja e drejtuesve të institucioneve të kujdesit shëndetësor si liderë dhe përgjegjës të edukimit në vazhdim të stafeve të tyre dhe adresimi i problematikës së profesionistëve që operonin me më shumë se një licencë profesionale janë disa nga risitë e projektligjit, që ministrja Ogerta Manastirliu radhiti në seancën e sotme të komisionit.

Deputetët e komisionit shtruan pyetje dhe diskutime lidhur me çështje të caktuara të projektligjit. Komisioni, në fund të pyetjeve dhe diskutimeve, e miratoi në parim projektligjin.