Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi një seancë dëgjimore për raportimin vjetor të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për vitin 2018.

  • Postuar më, 16/04/2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi një seancë dëgjimore për raportimin vjetor të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, për vitin 2018.

Raportin e paraqiti Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, znj. Pranvera Strakosha. Gjatë fjalës së saj, znj. Strakosha u shpreh se komisioneri përgjatë vitit 2018, ka vijuar veprimtarinë e tij në zbatim të kompetencave, dhe sipas kërkesave dhe rekomandimeve të dhëna në rezolutën e Kuvendit.

“Prioritet i veprimtarisë së këtij viti kanë qenë rekomandimet në rezolutë, të cilat janë zbatuar plotësisht, me përjashtim të rekomandimit në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për të cilën ka mbaruar faza e parë plotësisht. Ishte një rekomandim, i cili kishte disa faza, ku përgjatë këtij viti ne jemi në fazën e dytë të tij”, theksoi ndër të tjera znj. Strakosha.

Më tej, relatoi mbi raportin deputeti z. Alketi Hyseni, i cili tha se institucioni i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, përgjithësisht ka respektuar e realizuar rekomandimet e lëna në Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Rekomandimet kanë qenë të bazuara kryesisht mbi detyrat, që komisioneri ka qoftë mbi zbatimin e ligjit për Nëpunësin Civil, qoftë në aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit që bazohet kjo veprimtari, si edhe në orientimet e punës që Kuvendi i jep, si organi, nga i cili ka varësi ky institucion”, u shpreh z. Hyseni.

Anëtarët e komisionit vazhduan me pyetje mbi raportin e paraqitur nga znj. Strakosha dhe me diskutime të mëtejshme.