Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u prit nga Presidentja e Senatit Casellati dhe Presidenti i Dhomës së Deputeteve Fico

  • Postuar më, 16/04/2019

 Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u prit në takime të veçanta nga Presidentja e Senatit Maria Elisabetta Alberti Casellati dhe Presidenti i Dhomës së Deputeteve Roberto  Fico. Në delegacionin e Kuvendit bëjnë pjesë edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, Kryetarja e Komisonit të Jashtëm dhe Kryetare e Grupit të Miqesisë me Italinë Mimi Kodheli, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali Anila Bitri.

Gjatë këtyre takimeve Kryetari i Kuvendit Ruçi falenderoi Presidenten e Senatit Casellati dhe Presidentin e Dhomës Fico për “Kontributin e mbështetjen që Italia, fqinji ynë i çmuar, ka dhënë dhe vazhdon të  japë si avokatja më e fuqishme në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Demonstrimi i fuqishëm i fundit ishte qëndrimi i qartë italian në Këshillin Evropian vitin e kaluar dhe në mbledhjen e kryeparlamentarëve të BE-së në Vienë, ne datat 8-9 prill, në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit. Ne jemi të bindur se kjo mbështetje do të vazhdoje të jetë po kaq e madhe edhe në ditët që vijnë, deri në qershor 2019.

Italia është partneri i parë tregtar, ndër donatorët kryesorë bilateralë dhe një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë dhe bashkëpunimi bazohet në lidhjet historike, kulturore dhe ekonomike. Dialogu ndërshtetëror midis qeverive është i qëndrueshëm, i fortë dhe i integruar nëpërmjet bashkëpunimit të thellë dypalësh në shumë sektorë dhe fusha. Ne jemi të angazhuar që bashkëpunimi politik ti përgjigjet më mirë ndjenjave e miqësisë midis popujve. Kjo vizitë dhe bashkëpunimi ynë janë një hap në këtë drejtim.” 

Kryetari i Kuvendit bisedoi me Presidenten e Senatit Casellati dhe Presidentin e Dhomës së Deputetëve Fico edhe mbi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërparlamentar midis Senatit, Dhomës së Deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.

U diskutua gjithashtu edhe mbi modalitetet e Partneritetit Strategjik midis Shqipërisë dhe Italisë, përmes dialogut ndërqeveritar, i cili do të përcaktojë fushat e bashkëpunimit, projektet bilaterale e rajonale me interes të përbashkët, në fushat ekonomike, tregtare, të arsimit, kulturës, drejtësisë, mbrojtjes, punëve të brendshme etj.

Kryetari i Kuvendit u propozoi Senatit dhe Dhomes organizimin e takimit të komisionit ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik për identifikimin e fushave të ardhshme

Pjesë e bisedimeve ishin edhe disa çështje aktuale të bashkëunimit midis Shqipërisë dhe Italisë në kontekstin rajonal, europian dhe ndëërkombëtar, në kuadrin e OKB-së, OSBE-së, Iniciativës së Evropës Qendrore, Këshillit të Europës dhe UNESCO-s. 

Në lidhje me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Kryetari i Kuvendit Ruçi nënvizoi se “Procesi i Integrimit në BE mbetet nxitja e vetme për vendet e Ballkanit Perendimor. Shqipëria i është mirënjohëse Italisë për rolin pozitiv ndaj Kosovës, veçanërisht për votën e saj në Interpol dhe qëndrimin e saj mbi Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shqiperia mbështet Kosoven në procesin e integrimit evropian. Populli kosovar e meriton liberalizimin e vizave dhe Shqipëria inkurajon vendet e BE-së të votojnë për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një marrëveshje ligjore detyruese për njohjen reciproke që sjell anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të pakicave, bazuar në Kushtetutën e Kosovës.”

Presidentja e Senatit Casellati nënvizoi se “Bashkëpunimi me Shqipërinë është solid, i vazhdueshëm dhe i gjithanshëm, i mbështetur në miqësinë e fortë midis të dy popujve. Ne vlerësojmë reformat e kryera në Shqipëri, sidomos reformën në drejtësi, një reformë e vështirë, e cila po rindërton besimin e qytetarëve te drejtësia. Mbështetja jonë për integrimin e Shqipërisë buron nga roli i Italisë si themeluese dhe kontribuese e paqes, demokracisë dhe ekuilibrave të BE-së. Italia është qartësisht në mbështetje të afrimit dhe pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.”

Presidenti i Dhomës së Deputetëve Fico nënvizoi se “Ndjek me vëmendje dhe i njoh shumë mirë zhvillimet në Shqipëri. Dhoma e Deputetëve mbështet fuqimisht bashkëpunimin me Shqipërinë dhe inkurajon qeverinë italiane ta zgjerojë këtë bashkëpunim. Italia është absolutisht në mbështetje të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe këtë unë e nënvizova edhe në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të Vendeve Anëtare në Vjenë, në datat 8-9 prill. Integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është i rëndësishëm edhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, përballëe rreziqeve të jashtme, si rreziku rus.”

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe delegacioni parlamentar shqiptar  zhvilluan një seancë diskutimesh me deoputetë e senator, anëtarë të komisioneve të jashtme të Senatit dhe Dhomës  së Deputetëve. Gjatë kësaj senace Kryetari i Kuvendit iu përgjigj pyetjeve të deputetëve e senatorëve italianë mbi zhvillimet në Shqipëri, sidomos mbi djegien e mandateve nga 57 deputetë të opozitës. Z. Ruci vuri në dukje zgjedhjet e vitit 2017 u zhvilluan nga një qeveri e përbashkët, u monitoruan nga OSBE-ODIHR, u adminsitruan dhe certifikuan edhe nga adminsitratorët e opozitës, të cilët përbënin 50% të administratorëve të zgjedhjeve, ishin të parat zgjedhje për të cilat nuk pati asnjë ankesë. Ndërsa në Kuvend, opozita ka gëzuar të gjithë aksesin dhe hapësirat parlamentare për të kontrolluar Qeverinë   dhe ushtruar të drejtat e saj, por nuk i ka shfrytëzuar. Kryetari i Kuvenditz.Ruçi, bëri një pasqyrë edhe të arritjeve të reformës në drejtësi, ngritjes së organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe reformës zgjedhore. 

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe delegacioni parlamentar shqiptar, zhvilluan edhe një takim me parlamentar të miqësisë me Shqipërinë, më të cilët biseduan mbi rritjen e bashkëpinimit dhe të shkëmbimeve parlamentare midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit dhe Dhomës  së Deputetëve të Italisë. Vizita e delegacionit shqiptar në Itali përfundoi me takimin, me Kryetarin e Grupit Parlamentar te Partisë Demokratike, deputetin Delrio