Prezantohet në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, raporti vjetor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, për vitin 2018 (pjesa për Shqipërinë), nga drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, z. Janez Kopac

  • Postuar më, 17/04/2019

Të ftuar në këtë seancë ishin  z. Gjergj Simaku, z. Agim Bregasi dhe znj. Mirjana Xhaferri përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Petrit Ahmeti kryetar i Bordit te Komisionerëve ERE, z. Maksim Shuli, znj. Erjola Sadushi dhe znj. Rajmonda Islamaj komisionerë në ERE, znj. Entela Çipa nga Agjencia e Eficiences së Energjisë , znj. Fatbardha Bytyci përfaqësuese nga OST, z. Erion Tase nga Akademia e Studimeve Politike, etj.

Gjatë prezantimit të raportit, drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, z. Janez Kopac u shpreh se Shqipëria ka arritur një nivel të mirë të pajtueshmërisë mjedisore sa i përket transpozimit, por ka edhe një sërë problemesh, kur bëhet fjalë për zbatim praktik.

 “Shqipëria është pjesëmarrëse e Non-Annex I të UNFCCC dhe ka ratifikuar marrëveshjen e Parisit, në nëntor 2016. Miratimi i Ligjit për ndryshimet Klimaterike është ende pezull, si edhe është ngritur formalisht me urdhër të Kryeministrit, miratuar në 7 mars 2019, një grup pune për përgatitjen e NECP-ve, (Planet Kombëtare për Energjinë dhe Klimën) të integruara”, theksoi ndër të tjera z. Kopac.

Gjithashtu z. Kopac shtoi se vlerësimet e ndikimit në mjedis dhe vlerësimet strategjike mjedisore të projekteve të hidrocentraleve, duhet të kryhen në përputhje të plotë me Acquis.

Më tej, anëtarët e komisionit dhe të ftuarit vazhduan me komente dhe pyetje të ndryshme, sa i përket raportit të prezantuar.

Në fund të mbledhjes, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi falenderoi z. Kopac për prezantimin e raportit dhe gjithë të ftuarit e tjerë për interesimin e treguar.