Komisioni për Punën dhe Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë zhvilloi një seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin ”Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 17/04/2019

Në drejtimin e zëvendëskryetares së komisionit, znj. Klodjana Spahiu, Komisioni për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me grupet e interesit për projektligjin ”Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë. Në këtë seancë dëgjimore të pranishëm ishin zëvendësministrja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj.Mira Rakacolli, si dhe  përfaqësues nga grupet e interesit: presidenti i Urdhrit të Mjekut të Shqipërisë, z.Fatmir Brahimi; znj. Diana Toma, presidente e Urdhrit të Farmacistit, z. Nikoll Deda, president i Udhrit të Stomatologut; znj. Vjollca Braho, drejtore e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, si edhe përfaqësues të tjerë nga institucione shëndetësore rajonale dhe shoqata të ndryshme.


Znj. Spahiu, që në krye të herës  theksoi rëndësinë që ka ky ligj, si një prej ligjeve më të rëndësishme të shëndetësisë dhe “pikërisht për këtë fakt”- tha ajo – “përpara se komisioni të kalojë në miratimin nen për nen të këtij projektligji menduam ta diskutojmë me të gjithë grupet e interesit”, duke përmendur faktin që më herët komisioni e ka miratuar në parim projektligjin “ Për kujdesin shëndetësor”. 

Më pas, lidhur me projektligjin, relatorja e tij, znj Edlira Bode, u shpreh se është shumë e vlefshme të dëgjohet gjithsecili prej grupeve të interesit, duke shtuar se: “ne si komision mirëpresim çdo sugjerim të cilat do të reflektohen dhe do të sjellin përmirësim në ligj, por edhe asaj që ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme, siç është marrëdhënies së besimit mes publikut dhe institucioneve të shëndetit”.


Qëllimi i këtij projektligji, u shpreh znj. Bode, është pasja e përputhshmërisë së institucioneve shëndetësore në vend me standardet bazë të cilësisë dhe akreditimit dhe që të gjithë ofruesit e shërbimit shëndetësor të bazohen në protokolle të miratuara nga ministria përkatëse.

Lidhur me projektligjin, edhe përfaqësuesit e tjerë të pranishëm në dëgjesë dhanë komentet, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Deputetët e pranishëm në komision u bënë gjithashtu pjesë e pyetjeve dhe diskutimeve të mbledhjes.