Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, priti Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z. Bernd Borchardt

  • Postuar më, 17/04/2019

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, priti sot Kryetarin  Prezencës së  OSBE-së në Shqipëri, z. Bernd Borchardt.

Në takim u bisedua mbi zgjerimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Prezencës së OSBE-së. Bashkëpunimi i deritanishëm përfshin kontributin e Prezencës për fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit, përmirësimin e infrastrukturës për shërbimin e deputetëve ndaj qytetarëve në terrritor, përmirësimin e Rregullores dhe të procedurave të Kuvendit etj. Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi kërkoi që “Në kuadër të zgjerimit të këtij bashkëpunimi, t’i jepet përparësi trainimit dhe kualifikimit të deputetëve të rinj, për njohjen sa më të shpejtë e të thelluar prej tyre të procedurave parlamentare dhe rritjen e kontributit në komisionet e Kuvendit, në funksionin ligjvënës dhe kontrollin parlamentar, përmirësimit të transmetimeve televizive të punimeve dhe  veprimtarive të Kuvendit, mbështetjen e funksionimit të TV Kuvendi, zgjerimin e aksesit informativ nga personat me nevoja të veçanta etj.” Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu se po punohet që përmirësimi i Rregullores së Kuvendit të pasqyrojë më mirë standartet e reja të Kodit të Sjelljes së Deputëve. Kuvendi po bën të gjitha përpjekjet që hartimi dhe miratimi i ndryshimeve në Rregullore të pasqyrojë një spektër sa më të gjerë mendimesh e kontributesh, në rradhë të parë kontributin e deputetevë të opozitës. 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi, dhe Kryetari  i Prezencës së  OSBE-së, z. Bernd Borchardt, biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri, pas dorëheqjes së 57 deputetëve të opozitës. Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë janë plotësisht legjitimë, të dalë nga zgjedhje të rregullta, të çertifikuara nga vetë komisionerët e opozitës dhe raportet e OSBE-ODIHR dhe se e ardhmja e vendit dhe konsolidimi i sistemit demokratik kërkojnë që të gjitha forcat politike të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndërsa reforma zgjedhore konsensuale të përfundojë para zgjedhjeve të parlamentare të vitit 2021.