Deputetët Gjoni e Murrizi zhvillojnë interpelancë për çështje urgjente me ministrin e Brendshëm

  • Postuar më, 18/04/2019

18 prill 2019


Në seancën e sotme plenare u zhvillua interpelanca për çështje urgjente me ministrin e Brendshëm, z. Sandër Lleshaj, e kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare. Parashtrimi i kësaj interpelance u bë nga deputeti z. Ralf Gjoni, ndërsa zhvillimi i saj i mëtejshëm u ndoq nga deputeti i Partisë Demokratike, z. Myslim Murrizi.


Z. Gjoni sqaroi në fillim të fjalës së tij që interpelanca synonte marrjen e sqarimeve mbi një ngjarje të rëndë që cënon sigurinë kombëtare, hyrjen në mënyrë të paligjshme në territorin e brendshëm të aeroportit ndërkombëtar për te grabitur. Për z. Gjoni siguria kombëtare, përmes kësaj ngjarjeje, është cenuar rëndë, në drejtim të cenimit të rendit publik dhe jetës së pasagjerëve. Ngjarja bëhet e përmasave më të mëdha, për deputetin opozitar, prej faktit që cënohet siguria e territorit të një vendi anëtar të NATO-s. Ngjarja përbën një dobësi të hallkave parandaluese dhe ligjzbatuese në shtetin tonë, sipas deputetit Gjoni.  


Deputeti që parashtroi interpelancën ngriti një sërë pyetjesh për ministrin e Brendshëm: z. Ralf Gjoni kërkoi të mësonte se pse dështonte për herë të dytë sigurimi i territorit dhe jetës së qytetarëve në aeroport dhe për përgjegjësit e kësaj ngjarje, kërkoi të dijë për masat paraprake dhe të mëpastajme të Ministrisë së Brendshme, nëse ekzistojnë plan masash anti-terror dhe a kanë funksionuar ato, kush është autoriteti monitorues i koncesionarit privat për përmbushjen e investimeve të parashikuara në kontratë, pse nuk ka patur masa të shtuara pas ngjarjes së vitit 2016 dhe nëse ministri i Brendshëm do të dorëhiqej në rast moszbardhjeje të plotë të ngjarjes dhe të mosarrestimit të autorëve.


Deputeti i Partisë Demokratike, z. Myslim Murrizi, ngriti shqetësim për gjendjen e komisariateve të policisë, përmirësimi dhe ndryshimi i të cilave do të sillte parandalimin e ngjarjeve kriminale. Z. Murrizi ngriti kritika të forta për qasjen e disa prej komisariateve në vend në luftën me krimin. “Ka komisariate më keq se Rinasi”,- tha deputeti i Partisë Demokratike. Deputeti Murrizi bëri përgjegjës për ngjarjen ministrin dhe Ministrinë e Brendshme, për mosgarantimin e sigurisë për qytetarët shqiptarë. Z. Murrizi kërkoi që të vinte në Kuvend projektligji ndryshues që e risistemon situatën në perimetrin e brendshëm të aeroportit të Rinasit.


Ministri i Brendshëm, z. Sandër Lleshaj, nuk e konsideroi ngjarjen një cenim të sigurisë kombëtare. “Ngjarja është e njohur, por është dëshmi e një serie dështimesh që janë përgjegjëse për sigurinë në aeroport. Me ligj, miratuar përpara 15 vjetësh, përgjegjësia i është transferuar një kontratori privat”,- u shpreh ministri lidhur me dështimin e sigurimit të perimetrit të brendshëm të sigurisë nga koncesionari privat.