Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi një vizitë pune në Qytetin e Fierit

  • Postuar më, 18/04/2019

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik,me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi një vizitë pune në Qytetin e Fierit, ku fillimisht u njoh me investimet në disa shkolla dhe implementimin e programeve,  si “Shkolla qendër komunitare”, “Bëj detyrat e shtëpisë”, “3 lëndë në 6 orë”. Gjatë kësaj vizite, komisioni u shoqërua nga Kryetari i Bashkisë, z. Armando Subashi, dhe drejtorja e Arsimit të Fierit, znj. Yllka Beci.

Fillimisht komisioni u ndal në shkollën “Dino Ismaili”, një shkollë periferike, në njësinë administrative Levan, e cila është rikonstruktuar me punime shumë cilësore. E veçanta e kësaj shkolle është ekzistenca e një komuniteti mjaft të përzier, me fëmijë të ardhur nga disa treva të vendit,   por me mbizotërim të komunitetit rom, që jeton në një bashkëjetesë dhe harmoni të plotë dhe ka një trupë mësimore shumë të specializuar, duke arritur një standart të lartë cilësor.

Në vijim, u vizitua shkolla e mesme industriale “Petro Sota”, e cila është një nga shkollat më me emër të qytetit, me degët që përgatisin mekanikë, hidroelektrikë, naftëtarë, motoristë, xhenerikë, etj.. Me investimet që janë bërë në infrastruktur, në pajisjen me laboratorë, me bazën e praktikave profesionale, me zbatimin e reformës në arsim, janë arritur rezultate të mëdha, ku përveç praktikave që zhvillohen në shkollë, është arritur lidhja edhe me  bizneset rajonale dhe janë pikërisht nxënësit  e kësaj shkolle që po bëjnë instalimet në shkollën artistike të qytetit,  që po rikonstruktohet.

Vizitat në shkolla u mbyllën në shkollën 9-vjeçare “Andon Xoxa”, që është shkolla më e vjetër e qytetit dhe më e madhja e tij, me një numër prej rreth 1500 nxënësish, e cila është e rikonstruktuar dhe e mirëmbajtur, me një paraqitje mbresëlënëse, në përpjekje të përhershme për të ruajtur identitetin e vet. Karakteristikë e kësaj shkolle është bashkëpunimi shumë i ngushtë ndërmjet trupit pedagogjik dhe prindërve.  Ajo ka bërë binjakëzim me shumë shkolla jashtë vendit, si në Firence të Iltalisë, në kuadër të projektit “Shkolla e Gjelbër”, për të krijuar një mjedis paqësor dhe tërheqës për  nxënësit. 

Komisioni vijoi me vizita në qendrat kulturore të këtij qyteti, fillimisht në Teatrin “Bylis”, i cili po rikonstruktohet. Investimet që janë bërë në këtë teatër janë përqendruar kryesisht në sallën e tij, ku, ndërmjet të tjerave, po punohet me aspirimin dhe sistemin e ftohje-ngrohjes, për ta përshtatur me standartet bashkëkohore. Gjithashtu, po punohet edhe me fasadën, që është drejt përfundimit. Më datë 30 prill salla e re do të përurohet me një shfaqje premierë.

Galeria e arteve “Vilson Kilica”, dikur një fabrikë mielli, që i jep indentitetin qytetit, pasi është një ndërtim i viteve 20 të shekullit të shkuar, që pas viteve 90 u braktis, me një projekt madhor financuar nga  qeveria dhe bashkia,  është rikonstruktuar dhe në katin e sipërm të saj është shndërruar në një galeri arti.

Më pas, Komisioni u ndal në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, ku u prit dhe u shoqërua nga nëndrejtori i Parkut, z. Arian Dhimo, i cili bëri një historik të përmbledhur  të qytetit antik dhe dha shpjegime të hollësishme  të rrënojave të tij, duke udhëhequr vizitën në Buleterion, Harkun e Triumfit, Odeonin, Obeliskun, Shëtitoren, Akropolin etj.. Vizita vijoi në Manastirin mesjetar të Parkut, ku gjendet që prej vitit 1985 edhe Muzeu Arkeologjik, ku pasqyrohet një koleksion i pasur, që vjen nga gërmime të periudhave të ndryshme.  Gjithashtu, ai shpjegoi dhe funksionimin e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut.

Komisioni e mbylli visitën e tij në Manastirin e Ardenicës.