Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi një seancë dëgjimore mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë për vitin 2018

  • Postuar më, 23/04/2019


Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetarit z. Arben Ahmetaj, zhvilloi një seancë dëgjimore mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2018. Raportin e paraqiti Guvernatori I Bankës së Shqipërisë, z.Gent Sejko, i cili që në krye të herës paraqitjen e këtij raporti e konsideroi një mundësi për të forcuar dialogun.

“Puna e Bankës së Shqipërisë, për vitin 2018, është bazuar në tri premisa kryesore” – tha z. Sejko,- “së pari në objektivat e përcaktuara në kuadrin ligjor, i cili rregullon punën e këtij institucioni; së dyti në objektivat e përcaktuara në strategjitë tona afatmesme të zhvillimit dhe së treti në rekomandimet e dhëna nga Kuvendi në rezolutën për vlerësimin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2017. Rezultatet e punës së Bankës së Shqipërisë  kanë rezultuar të suksesshme në të tri drejtimet. Bazuar në informacionin e disponuar Banka e Shqipërisë konstaton se viti 2018  ishte vit progresi për ekonominë dhe financat shqiptare. Treguesit kryesor të shëndetit të sektorit bankar shënuan përmirësim dhe një sërë indikatorësh të balancave të brendshme dhe të jashtme ekonomike, erdhën drejt forcimit”. 

Guvernatori Sejko, ndër të tjera theksoi se deficiti buxhetor dhe borxhi publik, përgjatë 2018-ës, vijuan të shënojnë një tendencë rënëse. 


Mbi raportin relatoi për komisionin deputetja e Partisë Socialiste, znj. Evis Kushi, e cila vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe politikat e ndjekura prej saj, për vitin 2018. Njëkohësisht, znj. Kushi, u ndal edhe te rekomandimet që komisioni i Ekonomisë dhe Financave jep për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, gjatë punës së saj në vazhdimësi.

“Kuvendi vlerëson pozitivisht në mënyrë të veçantë përmbushjen me përkushtim të veçantë të detyrave kushtetuese dhe ligjore, zbatimin e një politike monetare me synime stimuluese në funksion të përmbushjes së objektivit të saj primar dhe administrimit të rezervës valutore. Për vitin 2019 Kuvendi i rekomandon BSH-së të zbatojë strategjinë e politikës makroprudenciale, e cila synon ndërmarrjen e veprimeve për parandalimin e rrezikut sistemik në funksion të garantimit të një sistemi financiar të qëndrueshëm” – përfundoi znj. Kushi.

Mbledhja e komisionit vijoi me pyetje dhe diskutime nga deputetët e pranishëm rreth çështjeve të caktuara që i takonin raportit të paraqitur nga z. Sejko.