Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë vizitoi Institutin e Shëndetit Publik

  • Postuar më, 30/04/2019

24 prill 2019


Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në drejtimin e zëvendëskryetares, znj. Klodiana Spahiu, në përmbushje të funksionit të kontrollit parlamentar dhe në kuadër të Javës Evropiane të Vaksinimit, 20-25 prill, vizitoi në terren Institutin e Shëndetit Publik. Anëtarët e komisionit u pritën në takim nga znj. Albana Fico, drejtore e institucionit.

Znj. Fico njohu anëtarët e komisionit me kalendarin e vaksinave, programin kombëtar të vaksinimit, historikun dhe arritjet e këtij programi, marrëdhënien në tërësi dhe mbështetjen institucionale nga Ministria e Shëndetësisë, organikën e Institutit dhe problematikat e vërejtura gjatë punës në terren. Znj. Fico iu përgjigj pyetjeve dhe interesit të deputetëve për çështje të ndryshme me rëndësi publike, siç ishin rastet e vërejtura me sëmundjen e fruthit dhe masat e marra nga institucioni në fjalë.   

Java Europiane e Vaksinimit është një inciativë e vendeve të rajonit Europian e koordinuar nga zyra e OBSH në Danimarkë në bashkëpunim me UNICEF dhe Qendrën Europiane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve e cila trajton probleme që lidhen me vaksinimin. Znj. Spahiu, zëvendëskryetarja e komisionit, e vlerësoi pritjen dhe raportimin e bërë nga stafi drejtues i Institutit të Shëndetit Publik dhe ofroi gatishmërinë e saj për forcimin e bashkëpunimit mes Institutit dhe komisionit parlamentar.