Komisioni për Sigurinë Kombëtare, zhvilloi një vizitë pune pranë Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Tiranë

  • Postuar më, 30/04/2019

Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në kuadër të transparencës parlamentare zhvilloi një vizitë pune pranë Forcave të ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë. Gjatë kësaj vizitë komisioni u shoqërua nga drejtori i Forcave Lëvizëse Operacionale z. Sokol Bizhga, si edhe nga komandanti i repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë z. Artur Prifti.

Fillimisht, anëtarët u njohën me ambientet e brendshme dhe të jashtme të repartit, ku z. Prifti bëri një prezantim të përgjithshëm duke filluar që nga historiku, ndërtimi, ngritja, godinat aktuale, rikonstruksioni i ambienteve të ndryshme etj.

Z. Prifti tha se forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, janë forca rezervë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që kanë për mision kryerjen e operacioneve të sigurisë së veçantë dhe zgjidhjen e situatave, të cilat nuk mund të përballohen nga shërbimet e tjera të Policisë, ekzekutimi i të cilave kërkon personel të përgatitur dhe të pajisur në mënyrë të posaçme, si edhe dhënia e ndihmës në rastet e emergjencave civile dhe aksidenteve, për mbrojtjen e jetës dhe pronës. Gjithashtu, ai shtoise se FNSH pajisen me armë e mjete speciale për përmbushjen e detyrave që u jep ligji përkatës. Gjatë prezantimit, komisionit i’u prezantua edhe një pjesë e armëve dhe pajisjeve të ndryshme që përdoren nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Nga ana e tij, drejtori z. Bizhga tha se forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përbëhen nga efektiva, oficerë, nënoficerë dhe polic. Gjithashtu z. Bizhga theksoi se FNSH përbëhet nga reparte të specializuara të policisë, të cilat përdoren për ndërhyrje të shpejtë kur ka shkelje të rënda të rendit publik.


Pas prezantimit të përgjithshëm, komisioni shoqëruar edhe nga përfaqësues të tjerë të FNSH, u ul në një tryezë diskutimi për të dëgjuar nga afër detyrat, të drejtat, vështirësitë si edhe problematikat që hasen dhe gjetja e përmirësimeve të ndryshme.

Gjatë diskutimit u përmendën eliminimi i trazirave ne vende publike, kapja dhe parandalimi i personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, kontrolli i banesave te tyre, lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike, sigurimi i ndeshjeve ndërkombëtare etj.

Më tej, diskutimet vazhduan mbi pagesën e punonjësit të FNSH, dietat, stërvitjet e ndryshme dhe trajnimet për përgatitje sa më të mirë, normat, punonjësit e plagosur dhe shumë nevoja e shërbime të tjera.

Kryetarja e komisionit znj. Ermonela Felaj, u shpreh se qëllimi i vizitës është për t’u njohur nga afër me përgjegjësitë, detyrat dhe funksionin e institucionit, si edhe për të njohur nga afër problematikat e ndryshme dhe adresimin e nevojave.

“Interesi ynë si komision parlamentar është të jemi sa më afër institucioneve dhe njerëzve. Ne jemi ligjvënësit dhe e kemi për detyrë që të bëjmë ose përmirësojmë ligjin që ai të jetë ndihmë për njerëzit dhe jo pengesë, për këdo që punon dhe që ka një përgjegjësi të caktuar shtetërore. Pas inspektimit që bëmë në ambientet ku ju punoni, sigurisht që ka vend për përmirësime dhe do kërkojmë që fokusi të jetë në prioritet nevojash.”, theksoi ndër të tjera znj. Felaj.

Së fundmi, kryetarja e komisionit falenderoi përfaqësuesit e FNSH për gjithë prezantimin e bërë si edhe për diskutimin e hapur.