Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi në parim projektligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, propozuar nga një grup deputetësh

  • Postuar më, 10/05/2019

Në cilësinë e  komisionit  përgjegjës, u mblodh sot Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik,  për të diskutuar në parim projektligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, propozuar nga një grup deputetësh: znj. Eglantina Gjermeni, z.Anastas Angjeli, z.Adnor Shameti, znj.Mimi Kodheli, znj.Elena Xhina, znj.Vilma Bello, z.Besnik Baraj, z.Andrea Marto, znj.Senida Mesi, znj.Evis Kushi, znj.Blerina Gjylameti, znj.Klotilda Bushka, znj.Elona Gjebrea dhe z.Fate Velaj.

Të ftuar ishin Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Sportit  dhe Rinisë, z. Redi Shtino, z. Skënder Gjinushi ekspert i ligjit, z. Lucian Brujan, Akademia Kombëtare Gjermane Leopoldina.

Në prezantim e  kësaj nisme, deputetja znj. Eglantina Gjermeni, fillimisht u shpreh se ky projektligj është me një rëndësi shumë thelbësore, jo vetëm për botën akademike, por edhe për mbarë shoqërinë, sa kohë që ky propozim ligjor përcakton bazat dhe funksionin e Akademisë së Shkencave, pjesës më elitare të mendimit shkencor dhe akademik në vend.

 Znj. Gjermeni tha se lipset domosdoshmërisht që në këtë debat të përfshihen një rreth sa më i gjerë ligjvënësish e personalitetesh me tituj e grada shkencore, që të kontribuojnë për të garantuar këtë reformim.

Sipas znj. Gjermeni,  grupi nismëtar ka marrë mbështetjen dhe asistencën teknike nga Ministria e Arsimit, Sportit  dhe Rinisë, si edhe nga komisioni ad hoc i ngritur nga Asambleja e Akademisë së Shkencave. Gjithashtu, drafti i është nënshkruar  një procesi konsultimesh me akademike, përfaqësues të universiteteve  dhe institucione të arsimit të lartë, qendrave kërkimor, shoqërisë civile, sektorit privat, etj. 

Ndër të tjera, znj. Gjermeni nënvizoi faktin se projektligji për të cilin po diskutohet sot,  synon të sigurojë përtëritjen e Akademisë së Shkencave, ku  realisht, qendra e gravitetit të veprimtarisë së Akademisë zhvendoset nga kryesia drejt Asamblesë, seksioneve dhe komisioneve. Gjithashtu, tha Gjermeni përmes këtij projektligji krijohet hapësira ligjore për krijimin e njësive kërkimore-shkencore pranë  Akademisë, sipas fushave prioritare të zhvillimit të vendit dhe nevojës për ti paraprirë këtij zhvillimi. 

Znj. Gjermeni renditi disa nga risitë e projektligjit: “Projektligji parashikon funksionimin e Akademisë së të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues pranë Akademisë së Shkencave; projektligji synon të ndërtojë një Akademi të Shkencave të hapur drejt komuniteteve  të arsimit të lartë dhe atyre kërkimore të vendit; projektligji përcakton dispozita ligjore për garantimin e integritetit të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe krijimin e kushteve ligjore që funksionimi i Akademisë së Shkencave dhe veprimtaria e saj të hapen me veprimtarinë e Akademive dhe akademikëve shqiptarë jashtë vendit.”

Në përfundim, znj. Gjermeni, parashtroi disa sugjerime nga ana e saj, mbi projektligjin. “Akademia e Shkencave, u shpreh ajo, duhet të jetë më miqësore ndaj grave dhe të rinjve, do të ishte e dobishme të përcaktohej në ligj në mënyrë më eksplicite edhe përfshirja efektive e Akademisë  në proceset e dhënies së titujve shkencorë, roli i veçantë që duhet të luajë Akademia  në studimet e Albanologjisë, në pasurimin e gjuhës shqipe, gjithashtu, reformimi dhe vitalizmi i Akademisë duhet të reflektohet jo vetëm me zëvendësimin e anëtarëve dhe vendosjen e kritereve të moshës, por  të identifikohet mekanizmi, që Akademia të jetë  sa më efektive në fushën e kërkimit shkencor.”

Z. Skënder Gjinushi, ekspert i grupit për hartimin e ligjit tha se Akademia e  Shkencave duhet të riorganizohet dhe riformohet, për të rifituar reputacionin e saj më të mirë. Sipas tij, Akademia Shkencave  ka të drejtë të ngrejë qendra kërkimore afatshkurtër ose afatgjatë, sipas nevojës dhe detyrave që qeveria apo shoqëria kërkon prej saj.  “Kjo reformë u ndërmor për arsye se në vitin 2007-2008, Akademia kaloi një proces reformimi, por rezultoi i dështuar, duke lënë dy pasoja, së pari, shkëputi Akademinë nga kërkimi shkencor de-facto, dhe së dyti,  krijoi një amulli në anëtarësimin e Akademisë, deri edhe me përmbajtje anti-kushtetuese. Ndaj projektligji i ri ripërcakton më qartë pozicionin e Akademisë, rregullon anëtarësinë e Akademisë, kemi një përfshirje më të gjerë ndaj diasporës, një hapje ndaj institucioneve kërkimore në vend. Akademia e të rinjve rregullohet me akte nënligjore dhe jo me një akt ligjor, në ligj i jepet shumë rëndësi pranimit, duke mos qenë më vetëm atribut i Asamblesë, por në Akademi duhet të jenë individë që përfaqësojnë vlerat më të mira të fushave të caktuara, pra sigurohet një rifreskim i Akademisë pa përdorur metoda anti-kushtetuese. Në ligj vendosen  marrëdhëniet me qeverinë dhe  institucionet shtetërore, si dhe mundësohet harmonizimi midis brezave ”, sqaroi z. Gjinushi.

Ndërsa, z. Lucian Brujan, përfaqësues i Akademisë  Kombëtare Gjermane Leopoldina theksoi se për këtë ligj jemi bazuar në tri aspekte: standardet, parimet dhe modelet, për të qenë në përputhje me standardet evropiane.  Z. Brujan tha se kemi bashkëpunuar me Akademinë e Shkencave për të reformuar dhe modernizuar  këtë projektligj, me qëllim  mbështetjen  e akademikëve, në Shqipëri, por edhe akademikëve shqiptarë në Diasporë. Në përfundim të mbledhjes, zëvendëskryetarja e këtij komisioni, znj. Milva Ekonomi propozoi që projektligji të dërgohet për dhënie mendimi në Këshillin e Ministrave lidhur me efektin  financiare që ai ka.