Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektvendime dhe një projektrezolutë

  • Postuar më, 13/05/2019

13 maj 2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, në mbledhjen e sotme miratoi projektvendimin “Për një ndryshim në Strukturën dhe Organikën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 98/2014 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, si edhe projektrezolutën për veprimtarinë vjetore të ILDKPI-së. Të pranishëm në komision për ndryshimet e dy projektvendimeve ishin z. Robert Gajda, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe znj. Pranvera Strakosha, komisionere e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Relatori i projektvendimeve për komisionin, z. Bashkim Fino, bëri me dije se ndryshimet e paraqitura lidhen me një rikategorizim dhe unifikim page të inspektorëve në institucionet përkatëse të krijuara me ligj.


Lidhur me projektrezolutën për veprimtarinë vjetore të ILDKPI-së, z. Fino, në cilësinë e relatorit listoi disa prej rekomandimeve të përfshira në të: vijimin e procesit të dosjeve të raporteve të hollësishme për pjesën e mbetur të gjyqtarëve e prokurorëve për vetting-un; vijimin e angazhimit me partnerët ndërkombëtarë për të dhënat online; forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve investiguese për trajtimin e rasteve të fshehjes, mosdeklarimit të pasurisë dhe konflikteve të interesit; vijimin e aktiviteteve për ligjin e sinjalizuesve dhe paraqitjen e informacioneve dhe sugjerimeve të ndryshimeve të nevojshme në të dhe pasqyrimin e raportit vjetor me të dhëna statistikore për kategoritë e zyrtarëve për të cilët është bërë kontrolli i vërtetësisë dhe saktësisë së deklarimeve.