Deputeti Lefter Maliqi interpelancë me ministren e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj

  • Postuar më, 16/05/2019

Ministrja e Drejtësisë, znj. Etilda Gjonaj, e thirrur në interpelancë nga z. Lefter Maliqi, iu përgjigj në seancën e sotme pyetjeve lidhur me testimet e policisë së burgjeve, prokurimet, korrupsionin, konfliktin e interesit dhe problemet e tjera në sistemin penitenciar.


Z. Maliqi, në kohën e tij të interpeancës, ngriti disa shqetësime dhe pyetje për ministren Gjonaj: “Drejtoria e Burgjeve këto dy vite ka kaluar në lëvizje dhe akuza të shumta dhe drejtuesish, për të marrë një polic kërkohet vërtetim personaliteti, po drejtuesit me firmën tuaj kalojnë në sitë? A e meritojnë atë vend pune? Do të ndaloj edhe te çështja e amnistisë, ne përgatitëm pikat dhe faljet, pasi ka dy vite që nuk është bërë, edhe për shkak të opozitës dhe aty ka të dënuar për 30 gram drogë për vjedhje të lehta, vrasësit janë dënuar shumë pak dhe pjesa më e madhe janë të lirë. Kur do të kalojë amnistia? Vjetërsia e punonjësve të burgjeve nuk njihet. A ka kalim kompetencash, për ligjin për policinë e burgjeve dhe të drejtat e të dënuarve, pasi ju propozoni, lironi dhe shkarkoni me propozim të drejtorit të përgjithshëm. Në çdo burg ka nga 10% të sëmurë mendor, ndërsa ka vetëm dy IEVP- Kruja dhe Spitali i burgut për ti trajtuar. A ka ndonjë politikë për ndonjë rehabilitim për këta. Nuk ka mjete, as ambulanca.”

Ministrja e Drejtësisë e falënderoi deputetin për thirrjen në interpelancë. Znj. Gjonaj i dha rëndësi vëmendjes që duhet treguar për institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

“Duhet të mbajmë në konsideratë një aspekt shumë të rëndësishëm, stafi i institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale janë institucionet që hasen me vështirësitë dhe sfida më të mëdha, pasi duhet të trajtojnë me vite dhe për disa deri në fund të jetës, të dënuar për vepra penale të rënda, me rrezikshmëri të lartë, të dënuar për vepra penale në grupe të strukturuara kriminale, për ekstremizëm dhe terrorizëm, por edhe të dënuar apo të paraburgosur me vështirësi dhe probleme shëndetësore, të mitur, gra, persona me problem psikologjike dhe që vijnë nga drama familjare”,- tha ministrja Gjonaj.

Gjithashtu, ministrja e Drejtësisë theksoi rëndësinë e përballimit të njëkohshëm në drejtim të ruajtjes së sigurisë në institucione nga drejtuesit e lartë, stafi policor dhe ai civil, që sipas saj, ia kanë dalë të garantojnë sigurinë në institucione, por edhe t’u përgjigjen kërkesave dhe objektivave të reja të vendosura për të reformuar sistemin penitenciar pavarësisht vështirësive.

“Ajo çfarë ne kemi bërë, në më pak se dy vjet, është një ndryshim rrënjësor dhe i vazhdueshëm në sytë e të gjithëve, duke e kthyer në një sistem të sigurt nga pikëpamja që ka ky sektor për sigurinë e vendit, nga pikëpamja e efektit për të parandaluar kriminalitetin, dhe nga pikëpamja e trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Gjatë kësaj periudhe kemi ndërhyrë rrënjësisht në të gjithë sistemin penitenciar duke u fokusuar kryesisht në respektimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, rritjen e sigurisë dhe uljen e korrupsionit.”,-  u shpreh znj. Gjonaj.