Kuvendi mblidhet në seancë plenare

  • Postuar më, 16/05/2019

Kuvendi, në drejtimin e Kryetarit, z.Gramoz Ruçi, u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi 4 projektvendime dhe një projektrezolutë.
Pas betimit të dymbëdhjetë deputetëve të rinj, seanca, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, mbajti 1 minutë heshtje në nderim të të ndjerit majorit Klodian Tanushi, dëshmor i atdheut.
Diskutimet e Kuvendit nisën me raportimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Statistikave për vitin 2018, ku e pranishme në seancë për raportim ishte znj. Delina Ibrahimaj. Në përfundim të raportimit, pas pyetjeve dhe diskutimeve lidhur me të, Kuvendi e miratoi raportin me 76 vota pro 21 kundër 10 abstenim
Kuvendi vijoi punimet e tij me raportimin e veprimtarisë vjetore të një tjetër institucioni për vitin 2018, Komisionit të Prokurimit Publik. Për KPP-në raportoi në Kuvend titullarja e tij znj.Evis Shurdha Pas raportimit, pyetjeve dhe diskutimeve të deputetëve të pranishëm, seanca e miratoi këtë raport me 76 vota pro, 26 kundër, 6 abstenim.
Në rendin e diskutimeve të ditës ishte edhe shqyrtimi i dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11175, datë 19.04.2019, "Për kthimin e ligjit nr. 20/2019, "Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, "Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ne Ministrinë e Brendshme"".Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste znj. Ermonela Felaj, kërkoi rrëzimin e dekretit të Presidentit të Republikës. Ajo u shpreh se përmes ligjit të ri nuk preket thelbi dhe pavarësia e ligjit, sepse personat që bashkohen me funksionin e jashtëm janë edhe pjesë e ligjit të vjetër. Znj. Felaj u shpreh se është detyrë garantimi i zbatimit të vetting-ut. “Proceset janë të besueshme kur zhvillohen nga institucionet që kanë përgjegjësinë kushtetuese për t’i monitoruar ato”,- tha znj. Felaj, duke garantuar se procesi i vetting-ut në polici do të jetë i vazhdueshëm dhe se, sipas saj, policët e ndershëm dhe me integritet nuk janë në presion nga vetting-u, por e konsiderojnë atë një proces teknik.
Dekreti u rrezua me 79 vota kundër,11 pro, 18 abstenim, 1 nuk mori pjesë në votim.
Seanca e sotme miratoi edhe katër projektvendime:
1. Projektvendimin "Per nje ndryshim ne Strukturen dhe Organikën e Komisionerit per Mbrojtjen nga Diskriminimi" me 87 vota pro 11 kundër 7 abstenim 2 nuk morën pjesë në votim
2.Projektvendim "Per disa ndryshime ne vendimin e Kuvendit nr. 98/2014 "Per miratimin e struktures, organikes dhe kategorizimit te pozicioneve te punes te Komisionerit per Mbikeqyrjen e Sherbimit Civil" me 82 vota pro 11 kundër 13 abstenim 3 nuk votuan
3.Projektvendim "Per miratimin e fondit nga buxheti i shtetit per financimin e partive pjesmarrese ne zgjedhjet vendore te vitit 2019" me 81 vota pro, 19 kundër, 6 abstenim, 3 deputetë nuk morën pjesë në votim.
4.Projektvendim” Për shqyrtimin me proçedurë të përshpejtuar të projektligjit “ Për trajtimin financiar ,suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera , nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në Metalurgji me 95vota pro 3 kunder. 7 abstenim. 3 deputetë nuk votuan.
Seanca e sotme plenare, u mbyll me prezantimin dhe miratimin e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë "Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2018" me 76 vota pro 21 kundër 9 abstenim, 3 deputetë nuk moren pjesë në votim.
Nga radhët e të tri partive parlamentare, PS, PD dhe LSI, në seancën e sotme kryen betimin për marrjen e mandatit të deputetit deputetët: z. Halit Valteri, z. Selami Jenisheri, z. Besnik Troplini, z. Krenar Rryçi dhe z. Kostaq Papa nga radhët e listave shumëemërore të Partisë Demokratike; z. Vasil Sterjovski, z. Edmond Stojku dhe znj. Suzana Topi, nga radhët e listave shumëemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nga radhët e Partisë Socialiste u betuan z. Florenc Spaho, z. Ardit Konomi, znj. Adriana Jaku dhe z. Eljo Hysko.
Seanca i mbylli punimet rreth ores 15.35