Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvillon vizitë informuese në mjediset e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi

  • Postuar më, 20/05/2019

20 maj 2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si edhe nënkomisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarëve, z. Ulsi Manja dhe znj. Vasilika Hysi, zhvilluan sot një vizitë informuese në kuadër të ushtrimit të kontrollit parlamentar për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.  

Z. Robert Gajda, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, vlerësoi rolin e shtuar të Kuvendit në drejtim të komunikimit me institucionet e pavarura, periodicitetin e takimeve ndërinstitucionale dhe miratimin e mekanizmit të monitorimit. Për z. Gajda, hapa pozitiv për institucionin që ai drejton janë ngritja e strukturës së re, parashikimi i tre zyrave rajonale dhe bashkëpunimi pozitiv me organizatat e shoqërisë civile. Komisioneri Gajda gjykoi si zhvillim pozitiv mbajtjen në fuqi të gjithnjë e më tepër vendimeve të institucionit të tij nga gjykatat e të gjitha niveleve, si edhe qasjen e re që gjykatat po ushtrojnë në drejtim të çështjes së diskriminimit.

Kryetari i komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, z. Ulsi Manja, u shpreh në takim se Kuvendi i ka realizuar të gjitha objektivat e tij në raport me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskrimini. Z. Manja theksoi se si në raportim, ashtu edhe në rezolutë, është vënë dukje puna e mirë e Komisionerit, ai vlerësoi ndryshimet dhe arritjet e këtij institucioni duke  u treguar i gatshëm për të vijuar bashkëpunimin si në drejtim të përmirësimit të ligjit, qoftë edhe në përmbushje të nevojave të tjera institucionale, buxhetore dhe burimesh njerëzore. Edhe Zëvendëskryetarja e Kuvendit, njëherësh edhe kryetare e nënkomisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, znj. Vasilika Hysi, shprehu vlerësime për veprimtarinë e Komisionerit per Mbrojtjen nga Diskrimini  dhe vuri në dukje faktin që Komisioneri adreson çdo rekomandim, pa pritur raportin e fundvitit .Znj. Hysi njoftoi Komisionerin që Kuvendi ka pranuar dhe publikuar rekomandimet e Equinet-it, të përcjella nga vetë institucioni në fjalë, si edhe rekomandoi vëmendje në procesin e zbatimit të strategjisë së edukimit ligjor në zyrat rajonale.

Në përfundim të takimit deputetët e Kuvendit të Shqipërisë u njohën me mjediset e reja të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.