Holanda vlerëson arritjet në sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi.Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u takua me Kryetaren e Parlamentit të Holandës, znj. Khadija Aribi

  • Postuar më, 21/05/2019

Kryetari z.Ruçi e informoi Kryetaren znj.Arib, mbi arritjet e Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe të rekomanduara nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave, duke u fokusuar në mënyrë të veçantë në arritjet e reformës në drejtësi, të cilën Kryetari i Kuvendit e vlerësoi si kryereforma e procesve integruese, dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kryetarja e Parlamenti të Holandës, znj. Khadija Arib, vuri në dukje se Holanda dhe Shqipëria  kanë marrëdhënie bashkëpunimi të konkretizuara në vizita të parlamentarëve holandezë, në Shqipëri dhe parlamentarëve shqiptarë, në Holandë. Ajo vlerësoi arritjet e Shqipërisë në fushën e reformave dhe nënvizoi në mënyrë të veçantë arritjet në fushën e sundimit të ligjit. “Holanda kërkon standarte të larta, vuri në dukje Kryetarja e Parlamentit Arib, sepse ato na çojnë përpara. Rritja e standarteve është e lidhur ngushtë edhe me interesat e Holandës për të shtuar investimet në Shqipëri. Shkëmbimet mes parlamentarëve kanë qenë intensive dhe ato do të shtohën në të ardhme”,- u shpreh znj. Arib.

Në lidhje me hapjen e negociatave, Kryetarja znj.Arib vuri në dukje se Parlamenti i Holandës pret publikimin e Raportit të Komisionit Evropian, si edhe të raporterëve të Komisionit parlamentar për Evropën, që ishin për vizitë në Shqipëri, në fillim të muajit maj. 

Gjatë takimit me zëvëndësministrin për Bashkëpunimin Europian në Ministrinë e Jashtme të Holandës, z. Thijs van der Plas, Kryetari i Kuvendit z.Ruçi dhe z. Balla e znj. Hajdari informuan në detaje, mbi arritjet e Shqipërisë në prioritetet kyçe, sidomos në reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ata folën për domosdoshmërinë e rrugës europiane të Shqipërisë, rolin stabilizues dhe kontribues për paqen në rajon e më gjerë. Zyrtari i lartë vuri në dukje: “Qeveria holandeze është plotësisht e përkushtuar ndaj zgjerimit të BE-së, si një obligim moral, nevojë historike dhe në dobi të interesave të vetë BE-së.  Përsa i përket Shqipërisë, theksoi ai, kam parë me sytë e mi progresin e jashtëzakonshëm dhe arritjet tuaja, sidomos në reformën në drejtësi, për të cilën kontribuojnë edhe ekspertët holandezë. Holanda pret publikimin e Raportit të Komisionit Europian dhe shpreson në një qëndrim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.