Komisioni për Sigurinë, shqyrtoi propozimin për disa ndryshime të“ Kodit penal te Republikës së Shqipërisë”

  • Postuar më, 21/05/2019

Në drejtimin e Kryetares, znj Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, mori në shqyrtim Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, që  vjen si propozim i një grupi deputetësh të mazhorancës .

Me cilësinë e  firmëtarit,  prezantimin në parim të propozimeve për ndryshim në Kodin Penal, e bënë dy deputetët e mazhorancës, Kryetari I Komisionit të Ligjeve, z.Ulsi Manja dhe antëtari i këtij Komisioni z Adnor Shameti.

Në fjalën e saj znj Felaj theksoi se ‘Janë 22 nene të cilat mendohen t’i shtohen kodit penal duke bërë të mundur kështu reflektimin e disa problemeve të cilat tanimë janë të evidentuara në praktikën gjyqësore , por që ndeshen me vakum ligjor .

Ndërsa z. Ulsi Manja, në emër të 11 deputetëve të mazhorancës propozues të paketës së ndryshimeve në Kodin Penal, parashtroi argumentat për qëllimin dhe synimin e  këtij propozimi.

“Domosdoshmëria për amendimet në Kodin Penal për disa çështje, si prishja e qetësise dhe rendit, dhuna në shëndetësi, dhuna në aktivitete sportive, dhuna ndaj funksionarëve publikë apo të zgjedhurve, ka lindur referuar ngjarjeve të muajve të fundit ku incidentet e dhunës, kanë qenë të shpeshta. Me qëllim dënimin e çdo veprimi dhune dhe parandalimin e dhunës në shoqëri, propozohet ashpërsimi i dënimeve për veprat e dhunës ndaj policit, mjekut, sportistit, arbitrit dhe trajnerit, funksionarëve publikë dhe të zgjedhurve” tha z.Manja

Gjithashtu, projektligji adreson dhe disa ndryshime të rëndësishme që lidhen me sigurinë ushqimore, si nje nga çështjet më aktuale.

“Këto ndryshime kanë rëndësi të vecantë në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore që është një komponent i sigurisë kombëtare” tha mes të tjerash z.Manja.

Mbrojtja e të drejtës së autorit, ndalimi i veprimtarisë së lojrave të fatit, dekriminalizimi i gabimit mjekësor në rastet kur pasoja nuk vjen si rezultat i neglizhencës së mjekut, përdorimi i armëve dhe lëndëve plasëse pa leje te organeve shtetërore, mbrojtja nga kafshët shoqëruese në publik,mbrojtja e mjedisit, ishin të tjera fusha për të cilat  adresoheshin ndryshime, në Kodin Penal

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme nga anëtarët e komisionit,Projektligji“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi penal i Republikës së Shqipërisë”i ndryshuar, u miratua në parim