Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi një takim informues për deputetët e rinj

  • Postuar më, 21/05/2019

Kuvendi i Shqipërisë organizoi një takim informues me deputetët e rinj, për prezantimin e shërbimeve të Kuvendit, detyrave dhe të drejtave në lidhje me statusin e deputetit. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe dy zëvendëskryetarët e Kuvendit,  znj. Vasilika Hysi dhe z. Myslym Murrizi. Takimi u moderua nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Genci Gjonçaj.

Z. Gjonçaj i uroi suksese deputetëve, të cilët kanë bërë betimin së fundmi, dhe siguroi mbështetje të vazhdueshme për nevojat e tyre në punënm, si ligjvënës. Në fjalën e tij, z. Gjonçaj foli për transparencën parlamentare dhe  mënyrën se si funksionon Kuvendi,duke theksuar se hapja e parlamentit, ndaj publikut është një element kyç.

Pjesë e takimit ishin shërbimet e Kuvendit, të cilët bënë analiza dhe prezantime  të punëve të përditshme, sipas departamenteve përkatëse. Në këtë takim deputetët e rinj u njohën me Shërbimin e Komisioneve Parlamentare, Shërbimin Juridik, Shërbimin e Marrëdhënieve me Jashtë, Shërbimin E Trajtimit të Deputetëve, Shërbimin e Marrëdhënieve me Publikun, Shërbimin e Teknologjisë së Informacionit, Shërbimin e Monitorimeve,  etj.

Deputetët e rinj  morën informacione të ndryshme sa i përket orientimit dhe këshillimit, dhe më pas takimi vazhdoi me pyetje dhe diskutime të ndryshme.