Deputeti z. Ervin Bushati, anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme, priti në një takim, z. Eldar Aliyev Zv/ambasador dhe i Ngarkuar me punë i Republikës së Azerbaixhanit, në Republikën e Shqiperise (jo resident).

  • Postuar më, 22/05/2019

Deputeti z. Ervin Bushati, anëtar i Komisionit për Politikën e Jashtme, priti në një takim, z. Eldar Aliyev Zv/ambasador dhe i Ngarkuar me punë i Republikës së Azerbaixhanit, në Republikën e Shqiperise (jo resident).

Z. Bushati pasi i uroi mirëseardhjen z. Aliyev vlerësoi bashkëpunimin politik dhe ekonomik midis dy vendeve tona, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Azerbaixhanit në fushën e energjetikes, e me specifikisht në kuadrin e projektit TAP. Ai u shpreh se  ftesa e Presidentit Shqiptar drejtuar Presidentit të Azerbaixhanit mbetet ende hapur ndërkohë që edhe Kryetari i Parlamentit Azer është gjithashtu i mirëpritur të kryeje një vizitë në Shqipëri. Me tej, ai foli për situatën dhe përgatitjet parazgjedhore në Shqipëri, për reformat që po kryhen në rrugën e demokracisë dhe integrimit europian, si dhe objektivin kryesor të Shqipërisë në momentet aktuale: hapjen e negociatave me BE.

Z. Aliyev falënderoi për mikpritjen dhe theksoi nivelin e lartë të marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimin pozitiv midis Shqipërisë dhe Azerbaixhanit, si në fushën bilaterale dhe në atë të organizatave ndërkombëtare. Ai u shpreh se me emërimin e Ambasadorit të ri të Azerbaixhanit do të intensifikohet edhe me tej puna për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, biznesit, turizmit etj. Duke folur për marrëdhëniet nder-parlamentare ai nënvizoi rolin e grupeve të miqësisë që ekzistojnë në të dy Parlamentet dhe nevojën e kontakteve me të afërta midis tyre. Z. Aliyev u shpreh se Azerbaixhani përshëndet zhvillimet e gjithanshme në Shqipëri dhe mendon se fale reformave demokratike Shqipëria e meriton plotësisht hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.