Kuvendi u mblodh ne seancë plenare

  • Postuar më, 23/05/2019

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi një projektligj dhe një projektrezolutë.

Në fillim të seancës, Kryetari z. Ruçi, bëri me dije disa projektligje të depozituara në Kuvend nga Këshilli i Ministrave.

Seanca vijoi me betimin e deputetëve të rinj, z. Ervis Meço nga lista shumë emërore e Partisë Demokratike  në Vlorë dhe znj. Artemis Dralo (Malo) nga lista shumë emërore e Partisë Socialiste në Gjirokastër.

Më tej, seanca vazhdoi me raportimin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit për vitin 2018, ku në emër të këtij institucioni u shpreh titullari z. Agron Tufa. Kjo projektrezolutë u miratua me  75 vota pro, 12 vota kundër dhe 21 vota abstenim.

Në lidhje me projektligjin “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste foli deputeti z. Arben Ahmetaj, i cili u shpreh se me miratimin e këtij projektligji të treja  shtresuat  do të  marrin shpërblimin e kërkuar ndër vite të financueshëm, nga kjo mazhorancë.

Sipas z. Ahmetaj,  të tre profesionet do të trajtohen në mënyrë të veçantë, në referencë të vështirësisë së tyre, të vjetërsisë së punës dhe u sigurohet nëpërmjet instrumentit të sigurimit suplementar, nga punëdhënësi, një pension dinjitoz. Gjithashtu, Ahmetaj sqaroi  se midis të tre profesioneve është bërë një barazi, në bazë të vështirësisë, nëpërmjet kombinimit të vjetërsisë së punës dhe koeficientit të shpërblimit, me bazë të vjetërsisë me 12.5 vjet. Ky është një ligj, tha Ahmetaj, që përputh drejtësinë sociale me mundësinë financiare të një vendi.

Projektligji ka në themel  të objektivave të tij vendosjen e një skeme të njëjtë  përfitimi suplementar  që konsiston në tre elemente: pension për shkak  të profesionit, shtesë  mbi pensionin e pleqërisë dhe shtesë mbi pensionin e invaliditetit.

Ky projektligj u miratua me 77 vota pro, 12 vota kundër dhe 9 vota abstenim

Seanca i mbylli punimet rreth orës17:00.