Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore, mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2018

  • Postuar më, 27/05/2019

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, zhvilloi një seancë dëgjimore, mbi raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për vitin 2018.

Raportin e paraqiti kreu i këtij institucioni, z. Ervin Koçi,  i cili  tha se për vitin 2018, në fokus të punës kanë qenë mbrojtja e konsumatorit në tregun e sigurimeve dhe investitorin në tregun e kapitaleve; zhvillimi i tregjeve financiare dhe rritja gamës së produkteve , në funksion të rritjes ekonomike të vendit; forcimi i rolit mbikëqyrës për të pasur tregje të shëndetshme dhe mos kërcënimi nga risqet sistemime,etj.

Z. Koçi ndër të tjera theksoi se tregu i sigurimeve, përgjatë 2018-ës, ka vijuar  prirjen e tij për zgjerim.  “Totali i dëmeve bruto,  për vitin 2018, arriti 7 miliard lekë, 26% më shumë se viti 2017 dhe  47% më shumë se vitit 2016.  Raporti dëm-veprime arriti në 42%, krahasuar me vendet e rajonit. Gjatë vitit 2018 janë paguar 1.44 miliard lekë dëme”,  tha ai,  duke shtuar  se shoqëritë e sigurimit po rrisin perfomancën  dhe cilësinë e qeverisjes korporative. Sipas z. Koçi, çdo qytetar do të ndjek në kohë, nëpërmjet sistemit online, çdo hap të procesit të trajtimit të dëmit. Ndërsa, relatorja, znj. Antoneta Dhima  vlerësoi pozitivisht veprimtarinë e AMF, për vitin 2018, në kuadër të rritjes dhe transparencës me publikun, si dhe zbatimit të Rezolutës të Kuvendit të Shqipërisë. “Gjatë vitit 2018, AMF i ka kushtuar rëndësi të veçantë monitorimit të përmbushjes në mënyrë efikase të detyrimit për informim nga shoqëritë që veprojnë në tregun e sigurimeve, duke ushtruar verifikimet periodike dhe komunikimin me shoqëritë e sigurimit për përmbushjen e detyrimeve, që lidhen me informacionin e detyrueshëm, etj” - tha znj. Dhima.

Mbledhja e komisionit vijoi me pyetje dhe diskutime nga deputetët e pranishëm rreth çështjeve të caktuara dhe në përfundim, anëtarët  e komisionit e  miratuan  raportin vjetor të AMF, i cili do t’i paraqitet seancës plenare.

Gjithashtu, komisioni zhvilloi seancë dëgjimore edhe me kandidatët për emërimin anëtar në Këshillin e Statistikave: znj. Eni Vasili, propozuar nga Këshilli i Ministrave, znj. Ines Mucostepa, propozuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregëtisë dhe Indrustrisë së Shqipërisë dhe z. Endrit Lami, propozuar nga Ministria e Financave. Pas dëgjesave, për secilin kandidat, komisioni i miratoi të trija kandidaturat, duke ia kaluar  për  shqyrtim seancës plenare.









Share