Kuvendi u mblodh në seancë plenare dhe miratoi 5 projektligje, një marrëveshje dhe një projektrezolutë.

  • Postuar më, 17/06/2019

Kuvendi, në drejtimin e Kryetarit, z.Gramoz Ruçi, u mblodh sot në seancë plenare dhe miratoi 5 projektligje, një marrëveshje  dhe një projektrezolutë.

Kryetari bëri me dije Kuvendin për projektligjet e depozituara nga Këshilli Ministrave.

Seanca vijoi me raportimin e veprimtarisë vjetore të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2018, ku i pranishëm për raportim ishte z.Shkëlqim Ganaj, gjatë vitit 2018 theksoi angazhimin në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve, forcimit të mëtejshëm të rolit institucional në kontrollin e deklarimit të interesave private, parandalimin e konfliktit të interesave.

“Inspektorati i Larte i Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive dhe Konfliktit te Interesave, ka ushtruar kompetencat institucionale duke pasur në fokus të veçantë rekomandimin e dhënë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në Rezolutën për vitin 2018, ne drejtim te ruajtjes dhe forcimit te pavarësisë dhe integritetit institucional, duke qene kështu garant i paanshmërisë, transparencës dhe objektivitetit te institucionit”, tha z. Ganaj.

Kjo  projektrezolutë  u miratua me 85 vota pro, 2 kundër dhe 17 abstenim.

Seanca e sotme plenare, mori në shqyrtim pesë projektligjet, pjesë e paketës “Moneyval”:

1.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, të ndryshuar, u miratua me 95 vota pro, 2 kundër dhe 5 abstenim

2. Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u miratua me 98 vota pro, 1 kundër dhe 5 abstenim

3. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, u miratua  me 102 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenim

4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, të ndryshuar, u miratua me 80 vota pro, 28 kundër dhe 4 abstenim

5. Projektligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, u miratua me 87 vota pro, 17 kundër dhe  6 abstenim

Për të prezantuar projektligjet, foli znj. Blerina Gjylameti, e cila tha se ndryshimet ligjore synojnë mbrojtjen e sistemit financiar dhe e ekonomisë në tërësi nga kërcënimet e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, duke forcuar integritetin e sistemit parandalues në vend dhe duke kontribuar për paqen dhe sigurinë. Znj. Gjylameti u shpreh se amendimet ligjore me qëllim forcimin e institucioneve në luftën ndaj krimit të organizuar, por dhe reforma historike e drejtësisë e ndërmarrë nga ne, ka treguar qartazi  vullnetin tonë për të bërë shtet.

“Edhe ndryshimet e sotme ligjore synojnë zvogëlimin e rreziqeve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nëpërmjet politikave, koordinimit dhe bashkëpunimit; parandalimin e hyrjes së produkteve të veprave penale apo veprimtarisë kriminale, si dhe të fondeve në mbështetje të terrorizmit në sektorin financiar apo në sektorë tjerë ose zbulimi dhe raportimi i tyre; zbulimin dhe goditja e kërcënimeve për pastrim të parave/ financim terrorizmi, si dhe dënimi e zhveshja e autorëve nga përfitimet e paligjshme”, - sqaroi znj. Gjylameti.

Lidhur me ratifikimin e marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), për bërjen palë në kuadrin gjithëpërfshirës të projektit

ndërkombëtar mbi erozionin e bazës së tatueshme dhe transferimin e fitimit (BEPS)”, u shpreh Ministrja e Financave znj.Anila Denaj, e cila nënvizoi se pjesëmarrja në këtë projekt është plotësim i kriterit thelbësor që Shqipëria të mos jetë në listën e vendeve të kategorizuara si jo bashkëpunuese nga Komisioni Evropian në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet e taksave.

“Kjo paketë i pajis shtetet pjesëmarrëse me instrumente vendase dhe ndërkombëtare për të adresuar shmangien e taksave, në mënyrë që fitimet të tatohen aty ku kryhen aktivitetet ekonomike që i gjenerojnë ato dhe aty ku krijohet vlera. Aktualisht janë 113 juridiksione anëtare të kuadrit gjithëpërfshirës të projektit ndërkombëtar BEPS”, përfundoi fjalën ministrja. Kjo marrëveshje u votua me 101 vota pro, 5 kundër dhe 2 abstenim

Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:30