Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 19/06/2019

19 qershor 2019


Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, shqyrtoi sot kërkesën për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës. Të pranishëm në mbledhjen e sotme ishin z. Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe z. Ervin Bushati, në cilësinë e dy deputetëve nismëtarë.

Në mbledhjen e sotme u miratua kalendari për shqyrtimin e kërkesës, që parashikohet të vijojë të hënën e javës së ardhshme me një seancë diskutimi në kuadër të vijimit të procedurës së shqyrtimit dhe që, të mërkurën e javës së ardhshme, përmbylljen si procedurë shqyrtimi me votimin e propozimit dhe përgatitjen dhe përcjelljen e raportit për në seancë plenare. Komisioni caktoi gjithashtu dy relatorët e procedurës: znj. Klotilda Bushka dhe z. Adnor Shameti.

Në cilësinë e propozuesit, z. Taulant Balla, duke vlerësuar se Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë  të Kushtetutës dhe ligjeve të kryera nga Presidenti, listoi argumentet e kërkesës për shkarkim të bazuar në nenin 90.2 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Sipas tij është cënuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli; Presidenti me dekret ka zgjatur mandatin e organeve të njësive të qeverisjes vendore; Presidenti ka përcaktuar një datë zgjedhjesh tej datës së përcaktuar me ligj; Presidenti ka dekretuar anulimin e zgjedhjeve ndërkohë që Kushtetuta nuk ia njeh këtë të drejtë; është cënuar parimi i periodicitietit të zgjedhjeve; është cenuar parimi i një qeverisjeje të dalë nga zgjedhjet e lira; është cenuar rëndë parimi i kushtetueshmërisë; është shkelur parimi i ligjshmërisë; akti i Presidentit ka dalë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me kompetencën e tij; akti i Presidentit u cënon qytetarëve mundësinë për të zgjedhur.