Deputeti Artur Roshi thirri në interpelancë ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, znj. Belinda Balluku

  • Postuar më, 20/06/2019

20 qershor 2019

 

Deputeti Artur Roshi, kryetar i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, në seancën e sotme plenare, thirri në interpelancë ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, znj. Belinda Balluku. Në qendër të shqetësimit të ngritur nga z. Roshi ishte praktika e koncesioneve të projekteve publike. Deputeti Roshi e konsideroi këtë praktikë si shqetësim publik dhe pasojë të një politike qeverisëse të gabuar dhe sipas tij, koncesionet dhe partneriteti publik-privat simbolizojnë praktika abuzive me taksat. Deputeti i listës së Partisë Demokratike shtroi disa pyetje: lidhur me modelet e partneritetit publik-privat, mënyrën e përzgjedhjes së tyre, praktikën e ofertave të pa kërkuara, nëse ministria ka ose jo preventivë paraprakë të këtyre ofertave, ndikimi i këtyre projekteve në ekonomi, pasja ose jo e studimeve të fizibilitetit për secilin prej projekteve etj. Z. Roshi shtroi në interpelancën me ministren Balluku edhe çështjen e projektit të marrjes në koncesion të mirëmbajtjes së rrugës Tiranë-Durrës. Ai kërkoi të dijë më tepër hollësi teknike të këtij projekti. Një tjetër çështje e ngritur nga deputeti Roshi ishin edhe hidrocentralet e koncesionuara në lumenj të ndryshëm të vendit, ai kërkoi të dinte se pse këto licenca shfrytëzimi nuk kanë ndikuar në uljen e çmimit të energjisë në vend.

 

Ministrja Balluku, lidhur me rrugën Tiranë-Durrës, u shpreh se, ndryshe nga sa z. Roshi pretendonte në fjalën e tij, nuk do të këtë tra në këtë segment në muajin shtator. Ministrja Balluku u shpreh se ky projekt është në studim e sipër dhe nuk ka ende një vendim për ta bërë kalimin këtë aks kundrejt pagesës. Ministrja u zotua që për të gjitha rrugët në Shqipëri, të cilat janë pjesë e parashikimit për t’u futur në kategorinë  me pagesë, duhet më parë që të sigurohet një rrugë alternative.  “Programi kombëtar për infrastrukturën është një program ambicioz, që synon  për të përmirësuar standardet. Segmente e reja janë të kushtueshme. Koncesionet janë investime që paguhen nga privati dhe që shlyhen në kohë më të gjatë nga shteti. Prioritet, vlerësojmë edhe mirëmbajtjen e segmenteve rrugore. Si mund të filloj pagesa në shtator? Nuk bëhet fjalë për të vendosur as  një tra as në shtator, as në tetor dhe as në dhjetor”,- sqaroi ministrja Balluku pyetjen e z. Roshi, duke shtuar se: “deri në shtator do ta vlerësojmë nëse ky ka fizibilitet. Ky projekt duhet vlerësuar në kuadër shumë më të gjerë.  Ky projekt ndodhet në fazë studimi”. Znj. Balluku iu përgjigj deputetit Roshi edhe për projektet e ndërmarra në fushën e energjitikës, ku sipas saj, është e rëndësishme të diversifikohet qasja ndaj burimeve të energjisë, që për momentin në vendin tonë dominon energjia hidrike, gjë që krijon një varësi nga kushtet atmosferike dhe importi i energjisë- varësi e cila reflektohet edhe në kostot e energjisë elektrike për konsumatorët.