Kuvendi u mblodh në seancë plenare. Miratoi gjashtë projektligje, katër projektvendime dhe dy projektrezoluta

  • Postuar më, 20/06/2019

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u mbajt sot seancë plenare në të cilën raportuan dy institucione për veprimtarinë e tyre vjetore përgjatë vitit 2018, u miratuan gjashtë projektligje dhe katër projektvendime.  

Seanca, pas zhvillimit të interpelancës së deputetit Artur Roshi me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku (interpelancë e raportuar në njoftimin paraardhës të fawes zyrtare të Kuvendit), vijoi me prezantimin e veprimtarisë vjetore të raportit mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018, i prezantuar nga znj. Arta Marku, prokurore e Përgjithshme. Zonja Marku u shpreh se viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për prokurorët dhe gjyqtarët për shkak të vetting-ut, që është kryer për to. Gjithashtu, prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme raportoi për Kuvendin se gjatë vitit të shkuar janë ndjekur gjithsej rreth 48 mijë procedime penale dhe se përqindja më e ulët e kriminalitetit është në qarkun e Dibrës ndërsa më e larta në qarkun e Vlorës. Znj. Marku u shpreh se rekomandohet rritja e hetimeve, në veçanti kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Në përfundim të diskutimeve, Kuvendi e miratoi projektrezolutën për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018 me 72 vota pro, 13 kundër dhe 16 abstenim.

Në seancën e sotme plenare u prezantua edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2018. Raporti u prezantua nga kryetari i ERRE-s, z. Petrit Ahmeti. Gjatë fjalës së tij z. Ahmeti tha se viti 2018 ka qenë një vit i mbushur me sfida dhe përpjekje të rëndësishme për trajtimin e të cilave në çdo rast janë mbajtur parasysh parimet themelore të mbrojtjes së klientëve, transparenca, ekuilibrimi i interesave të konsumatorëve, investitorëve privatë dhe shtetit, si dhe angazhimet e ndërmarra nga ana e Shtetit Shqiptar në arenën rajonale e atë ndërkombëtare. “Gjatë vitit 2018, jemi munduar të ndërthurim eksperiencën dhe profesionalizmin e ekspertëve tanë me eksperiencën më të mirë të organizmave simotra rajonale dhe PanEvropiane në disa prej të cilave jemi dhe anëtarë me të drejta të plota, bashkëpunim që ka rezultuar mjaft i frytshëm dhe kam bindjen që do të vijojë të japë në të ardhmen dhe më tepër rezultate si në shkëmbimin e eksperiencave ashtu dhe në përmirësimin e aftësive teknike të stafit tonë duke rritur rolin aktiv të ERE-s në rajon e më gjerë.”,-tha ndër të tjera gjatë raportimit z. Ahmeti. Kuvendi e miratoi raportin e veprimtarisë vjetore të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2018 me 75 vota pro, 10 kundër dhe 10 abstenim.

Pas interpelancës dhe dy raportimeve, seanca e sotme miratoi gjashtë projektligjet si vijojnë:

1.     Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9900, datë 10.04.2008, “Për rezervat materiale të shtetit” u miratua me 73 pro, 12 kunder, 10 abstenim;

2.  Projektligji “Për disa shtesa në aktin normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008, dhe ndryshuar me ligjin nr. 3/2015” u miratua me 76 vota pro, 18 vota kunder dhe 1 abstenim.

3.    Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore” u miratua 90 vota pro, 9 vota kunder dhe 1 abstenim.

4.   Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shërbimet ajrore” u miratua 86 pro, 6 kunder, 4 abstenim.

5.  Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin” u miratua 84 vota pro, 5 kunder dhe 8 abstenim.

6.  Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat dhe kapitalin”: 84 pro, 5 kunder dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), sh.a., (agjencia zbatuese e projektit) dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për programin e investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike 1”” u miratua me 80 vota pro, 14 kunder dhe 4 abstenim.

Seanca e sotme miratoi edhe tre projektvendime, përmes të cilave deputeti Arben Elezi u caktua Zëvendëskryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat; deputeti Korab Lita u caktua anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat; deputeti Halil Jakimi u caktua anëtar në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë; deputeti Arlind Çarçani u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Ekonominë dhe Financat; deputeti Myslim Murrizi u caktua anëtar zëvendësues për Komisionin për Ekonominë dhe Financat; deputeti Halit Valteri u caktua anëtar zëvendësues në Komisionin për Integrim Evropian. Gjithashtu, seanca miratoi edhe projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/20I4, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” të ndryshuar”.

Dy projektligjet e ndryshimeve në Kodin Penal, me dakordësi mes palëve, u shtynë për diskutim në seancën e radhës.