Komisioni për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut vijoi me shqyrtimin e kërkesës së disa deputetëve për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 24/06/2019

Në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja, komisioni për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi një seancë diskutimesh në vijim të shqyrtimit të kërkesës së disa deputetëve, për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës . 

Relatorët e çështjes, znj. Klotilda Bushka, z. Adnor Shameti, si edhe kryetari i këtij komisioni, z. Manja, parashtruan argumentet ligjore të kërkesës për shkarkimin e Presidentit. 

“Është nxjerrë akt në kundërshtim të hapur flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet, duke sjellë si pasojë cënimin e të drejtës së qytetareve si sovran, për të zgjedhur . Këto shkelje meritojnë një hetim nga një komision hetimor sepse është shkelje shumë e  rëndë e  Kushtetutës”, – tha znj Bushka në fjalën e saj .

Propozimin për ngritjen e një komisioni hetimor e mbështeti dhe z. Adnor Shameti, i cili në fjalën e tij, tha se dekreti i cili zhdekreton datën 30 qershor si datë zgjedhjesh është shkelje e rëndë dhe për këtë listoi një sërë argumentesh ligjore.

‘”Shkeljet kushtetuese të dekretit të Presidentit janë: cënon të drejtën e zgjedhjes së shtetasve (nenin 45 të Kushtetutës), ka shkelur parimin e unitetit kombëtar ( nenin 86 të Kushtetutës), si edhe ka shkelur parimin e periodicitetit të zgjedhjeve ( nenin 1, paragrafi i tretë, i Kushtetutës). Periodiciteti është 4 vjet. Shtyrja e zgjedhjeve, për më tepër pa datë, e cënon periodicitetin, pasi lë në detyrë organet e zgjedhur, më shumë se 4 vjet”,-  tha z.Shameti 

Pas diskutimeve të anëtarëve të komisionit, z. Ulsi Manja u shpreh se Presidenti ka shkelur parimin e neutralitetit, atë të qëndrimit mbi palët politike dhe u kërkoi relatorëve të çështjes të përgatisin raportin, i cili do ti kalojë më pas, seancës plenare, për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë shkeljet e Presidentit.