Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi raportin për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 26/06/2019

26 qershor 2019

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, përmbylli në mbledhjen e sotme procedurën e shqyrtimit të kërkesës së 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Komisioni sot votoi propozimin dhe raportin që do t’i përcillet seancës plenare. Relatori i raportit për komisionin, z. Adnor Shameti, në emër të komisionit të ligjeve, në përfundim të raportit të prezantuar prej tij theksoi se: “Komisioni shqyrtoi bazueshmërinë ligjore të kërkesës së paraqitur dhe çmoi se në aspektin ligjor dhe procedurial kërkesa është në përputhje me nenin 90, pika 2 të Kushtetutës dhe nenin 112 të Rregullores së Kuvendit. Komisioni, vlerësoi se nga pikëpamja substanciale,  kërkesa e 55 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për fillimin e procedurës së shkarkimit nga detyra të Presidentit të Republikës përmban shkaqe nga ato që parashikohen në nenin 90, pika 2 të Kushtetutës, për të legjitimuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar shkeljen e rëndë të kryer nga Presidenti i Republikës. Pjesë e hetimit duhet të jetë dhe shkresa nr.1956/1prot, datë 22.06.2019 e sekretares së Përgjithshme të institucionit të Presidencës.”

 

Në mbledhjen e sotme, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11195, datë 31.05.2019, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 26/2019, “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat” . Gjithashtu, në mbledhjen e sotme u shqyrtua e miratoi projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi sektorial i ujërave/furnizimi me ujë i zonave rurale IV”.