Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi dy projektligje të rëndësishme

  • Postuar më, 02/07/2019

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit", ardhur me procedure te përshpejtuar..

Të ftuar për këtë projektligj ishin z. Artan Shkreli zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi drejtor, znj. Adelina Greca drejtoreshë (AKPT), znj. Suela Meta drejtoreshë (AKPT) etj.

Relatorja e projektligjit, deputetja Eglantina Gjermeni tha se këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e disa nevojave të rëndësishme. Pas prezantimit të projektligjit, anëtarët e komisionit dhe të ftuarit diskutuan disa nene të tij si edhe bërën komente e sugjerime të ndryshme.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi sektorial i ujërave/furnizimi me ujë i zonave rurale IV”.

Të ftuar për këtë projektligj ishin përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Relatori i projektligjit deputeti Arben Pëllumbi, e konsideroi këtë marrëveshje të rëndësishme për shtetin shqiptar.

Pas diskutimeve dhe komenteve, kryetari i komisionit z. Niko Peleshi e hodhi projektligjin në votim, ku u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nen për nen dhe në tërësi.