Komisioni për Integrimin Europian miratoi në parim projektligjin “Për rininë’’

  • Postuar më, 03/07/2019

Në drejtimin e kryetares znj. Rudina Hajdari, komisioni për Integrimin Europian, shqyrtoi në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, projektligjin “Për rininë” . 

E pranishme në komision për të folur rreth projektligjit, ishte znj. Lorena Haxhiu  zv.ministre  e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe përfaqësues të organizatave rinore dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e saj, znj. Haxhiu vlerësoi si të domosdoshëm një ligj për rininë dhe theksoi se, për hartimin e këtij projektligji përfaqësues të ministrisë kishin zhvilluar një cikël  konsultativ, ku janë takuar dhe kanë biseduar me të rinj, nga i gjithë vendi. 

“Ky projektligj, përfaqëson një akt ligjor të posaçëm për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve, prezanton mekanizmat e fuqizimit të të rinjve dhe të realizimit të pjesëmarrjes së tyre në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse, duke rritur pjesëmarrjen e të rinjve,përcakton veprimtaritë të cilat nxisin aktivizimin e të rinjve dhe mbështeten nga shteti,prezanton konceptin e hapësirave rinore të sigurta që është në fakt standardi që duhet përmbushur në hapësirat ku të rinjtë mblidhen, angazhohen në veprimtari që i përshtaten nevojave të tyre të shumëllojshme, marrin pjesë në procese vendimmarrëse dhe shprehin mendimet e tyre”,- tha znj. Haxhiu në fjalën e saj.

Mbledhja, vijoi me diskutime nga anëtarët si dhe përfaqësuesit e  organizatave  rinore dhe shoqërisë civile, të cilët shprehën  sugjerimet e tyre në lidhje me këtë projektligj.

Më pas, projektligji “Për rininë”,  u kalua në votim dhe u miratua në parim.