Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, znj. Nancy Pelosi

  • Postuar më, 04/07/2019

Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i dërgoi sot një letër urimi Presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, znj.  Nancy Pelosi. 

“Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju dërgoj urimet më të mira për begatinë dhe lumturinë e popullit amerikan.

Në këtë ditë të shënuar është momenti të vlerësojmë kontributin e pakrahasueshëm dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e mirëqenien, ruajtjen e paqes e të sigurisë dhe mbështetjen e përpjekjeve të kombeve për prosperitet, liri, qytetërim e demokraci në të gjithë globin. 

Është rasti të kujtojmë se idetë dhe kontributi i Etërve Themelues për prosperitetin dhe demokracinë janë shndërruar sot në një thesar prej të cilit përfiton gjithë njerëzimi. 

Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh besimin në fuqizimin e bashkëpunimit tonë të ngushtë me Kongresin edhe në të ardhmen dhe rritjen e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara, partnerit tonë të madh strategjik, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.”, shkruhet në letrën e urimit të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtuar Presidentes së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, znj.  Nancy Pelosi.