Thirrje për aplikim për përfaqësim të organizatave të shoqërisë civile në Rrjetin Kombëtar për Edukimin Ligjor të Publikut

  • Postuar më, 09/07/2019


 

Kuvendi i Shqipërisë, me Vendimin nr.47, datë 18.4.2019, ka miratuar Strategjinë për Edukimin Ligjor të Publikut 2019-2023, pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.

 

Strategjia për edukimin ligjor të publikut synon rritjen e ndërgjegjësimit ligjor publik në Shqipëri, me qëllim që qytetarët të jenë në gjendje të marrin pjesë aktivisht dhe efektivisht në një mjedis social dhe ekonomik të rregulluar ligjërisht. Një nga objektivat kryesorë të Strategjisë është që qytetarë të jenë më të ndërgjegjësuar për rëndësinë e njohjes së ligjit, të drejtave dhe detyrimeve të tyre, bazuar në nevojat specifike dhe nxitjen e aktivizimit qytetar për forcimin e shtetit të së drejtës.

 

Monitorimi i SELP do të kryhet nga Rrjeti Kombëtar për Edukimin Ligjor të Publikut që do të ngrihet nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e Kuvendit, dhe që ka në përbërjen e tij përfaqësues të institucioneve më të rëndësishme në nivel qendror dhe vendor, pesë përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile, nga organet e sistemit të drejtësisë si dhe përfaqësues nga fakultetet e drejtësisë.

 

Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile në Rrjetin Kombëtar për Edukimin Ligjor të Publikut përzgjidhen ndërmjet organizatave që shprehin interesin dhe aplikojnë pranë Sekretariatit Teknik të Rrjetit.

Në përzgjedhje përparësi do t’u jepet atyre organizatave që kanë eksperiencë dhe ofrojnë ekspertizë në lidhje me çështjet e edukimit dhe informimit ligjor të publikut.

 

Të interesuarit për t’u bërë pjesë e kësaj strukture, të paraqesin një letër interesi,  që duhet të përmbajë:

§  Të dhënat e organizatës;

§  Fushat e ekspertizës;

§  Raporte/studime/ analiza/fushata/ projekte të zhvilluara së fundmi që lidhen me fushat e edukimit dhe informimit ligjor;

§  Platformën për kontributin që mendon të ofrojë në Rrjetin Kombëtar për Edukimin Ligjor të Publikut.

 

Letra e interesit e shoqëruar me dokumentacionin e regjistrimit të organizatës sipas legjislacionit shqiptar, të dërgohet brenda datës  16.7.2019, në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë