Konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij, lidhur me zhvillimin e Zgjedhjeve për Organet e qeverisjes vendore”

  • Postuar më, 11/07/2019

Në drejtimin e kryetarit të këtij komisioni z. Ulsi Manja, u konstituua ditën e sotme komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës z. Ilir Meta.

Në mbështetje të nenit 7 dhe 78 të Kushtetutës, të nenit 3, pika 3, nenit 5, pika 2, nenit 8 pika 1 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe të neneve 55 dhe 112, pika 3 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, bazuar në kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Kuvendi i Shqipërisë vendosi ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh, për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Kryetari i komisionit prezantoi përbërjen e komisionit, me 9 anëtarë: z. Ulsi Manja kryetar, z. Alban Zeneli zëvendëskryetar, znj. Vasilika Hysi, znj. Klotilda Bushka, z. Alket Hyseni, z. Bashkim Fino, z. Adriatik Alimadhi, z. Halit Valteri dhe z. Krenar Rryci do të jenë anëtarë, në përfaqësimin pozitë-opozitë në raportin 5 me 4. Po ashtu, anëtarë zëvendësues do të jenë z. Adnor Shameti dhe z. Spartak Braho nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, z. Arlind Cacani nga grupi “Demokrat” dhe z. Zef Shtjefni nga grupi “Partitë e Djathta”.

z. Manja në fjalën e tij u shpreh se ky komision ka për qëllim njohjen si edhe verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencave nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, në përputhje me parimet kushtetuese, si parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shteti i së drejtës dhe demokracinë funksionale, si dhe nxjerrjen e përgjegjësisë konkrete institucionale.

“Ky komision hetimor parlamentar ka për objekt dhe detyre të verifikojë procedurat e ndjekura nga ana e Presidentit të Republikës, gjatë ushtrimit të kompetencave lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.”, theksoi z. Manja ndër të tjera.

Sekretare e komisionit hetimor u miratua me konsensus znj. Klotilda Bushka, ndërsa po ashtu me dakordësinë e të dyja palëve u miratuan dy bashkë-relator, z. Alket Hyseni dhe z. Halit Valteri.

Gjithashtu, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore, u miratua ngritja e Sekretariatit Teknik që do të asistojë gjatë gjithë punimeve komisionin hetimor parlamentar.