Mblidhet komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”

  • Postuar më, 15/07/2019

Në drejtimin e kryetarit, z. Ulsi Manja, ditën e sotme komisioni hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, zhvilloi mbledhjen e rradhës.

Pas miratimit të proces-verbalit, mbledhja vazhdoi me diskutime mbi planin paraprak te hetimit. Zëvendëskryetari i komisionit  z. Alban Zeneli, kërkoi që  komisioni të ketë një ekspertizë profesionale. “Mendimi im është që të jemi sa më korrekt. Një ekspert jashtë ndikimeve të politikës së përditshme, të jetë i huaj.”, tha z. Zeneli.

Pas diskutimeve dhe komenteve te ndryshme nga anëtarët e komisionit, u miratua me konsensus Plani Paraprak i Hetimit, me sugjerimet përkatëse të dala nga diskutimet e mbledhjes.

Më tej, komisioni vazhdoi me diskutimin e Rregullores së Brendshme të Komisionit, ku bashkë-relatori, z. Alket Hyseni, shpjegoi në mënyrë të detajuar bazën ligjore ku është mbështetur hartimi i Rregullores së Brendshme të komisionit. Pas diskutimeve, kryetari,  z. Ulsi Manja, hodhi në votim Rregulloren e Brendshme, e cila u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Sekretarja e komisionit, deputetja Klotilda Bushka, kërkoi që komisioni të marrë edhe një opinion nga Komisioni i Venecias, pasi është rasti i parë që po kërkohet shkarkimi i një presidenti .

“Ky është rasti për t'iu drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për opinion.”, theksoi znj. Bushka.

Ndërsa kryetari i komisionit, z. Ulsi Manja, e cilësoi kërkesën e znj. Bushka një ide të mirë për të marrë një opinion  për shkeljet e Kushtetutës nga  Presidenti.

“Komisioni hetimor do t’i drejtohet Komisionit te Venecias. Zonja Bushka do të bëjë gati kërkesën me argumente për t’ia dërguar Kryetarit te Kuvendit, i cili ia përcjell më pas Komisionit të Venecias.”-theksoi kryetari Manja.

Kërkesa e znj. Bushka, u hodh në votim dhe u miratua nga anëtarët e komisionit.