Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, miratoi projektligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”

  • Postuar më, 16/07/2019

Në drejtimin e Zëvendëskryetares, znj. Milva Ekonomi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik vijoi ditën e sotme diskutimin në disa nene të veçanta të projektligjit “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, propozim i një grupi deputetësh.

Znj. Ekonomi në fillim të mbledhjes, falenderoi relatorin e projektligjit, deputetin Ismet Beqiraj, si edhe deputetët nismëtarë të këtij projektligji për punën e bërë dhe informoi anëtarët se  sot Komisioni ka ardhur me një variant final të projektligjit.

“Në projektligjin e integruar kishin ngelur disa çështje të cilat kishim nevojën t’i rishikonim. Gjithashtu, kemi marrë në konsideratë edhe komente të ndryshme që kanë ardhur nga grupet e interesit. Po ashtu, disa nene që lidhen me dispozitat kalimtarë janë ndryshuar ndërsa neni i zgjedhjes së Kryetarit do të riformulohet në mbledhjen e sotme.”, theksoi znj. Ekonomi.

Pas diskutimeve, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi projektligjin “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”.