Mbyll punimet sesioni i katërt i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë

  • Postuar më, 19/07/2019

19 korrik 2019


Kuvendi i Shqipërisë, në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, u mblodh në seancën e fundit plenare për sesionin e katërt të legjislaturës së nëntë. Seanca miratoi një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh.

Me 96 vota pro, 11 kundër dhe 2 abstenim u miratua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, dt. 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”; me 94 vota pro, 5 kundër dhe 7 abstenim u miratua projektligji “Për mbrojtjen civile”; me 93 vota pro, 3 kundër dhe 10 abstenim u miratua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10006, dt. 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar”.

Seanca miratoi në paketë edhe dy projektligjet e lidhura me reformimin e sistemit të drejtësisë: përkatësisht me 106 vota pro, asnjë kundër dhe 2 abstenim, u miratua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” dhe me 106 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim u miratua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KFW Frankfurt am Main për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV” u miratua me 105 vota pro dhe 2 kundër.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik-privat”, të ndryshuar” u miratua me 84 vota pro, 21 kundër dhe 3 abstenim.

Dy projektligjet e kontratave të koncesionimit, që lidheshin ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe shoqërive kontratuese përkatëse, për rrugët Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren, u votuan përkatësisht me 72 vota pro, 23 kundër dhe 5 abstenim; dhe 79 vota pro, 26 kundër dhe 3 abstenim.

Projektligji “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” u miratua me 82 vota pro, 25 kundër, 0 abstenim. Me 98 vota pro, 3 kundër dhe 6 abstenim, u miratua projektligji “Për nismën ligjvënëse të shtetasve në Republikën e Shqipërisë”. Me 89 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenim u miratua edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, dt. 28. 07. 2008  “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar.

Seanca e djeshme plenare miratoi edhe dy projektligje të tjera të rëndësishme: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, dt. 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, me 86 vota pro, 16 kundër dhe 2 abstenim; “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, 89 vota pro, 10 kundër dhe 6 abstenim. Gjithashtu, seanca miratoi edhe projektvendimin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, me 106 vota pro.