Ruçi: Mirënjohje trimërisë, mençurisë dhe atdhedashurisë dibrane: Përshëndetje e Kryetarit të Kuvendit në ditën e çlirimit të Dibrës dhe formimit të Brigadës XVIII

  • Postuar më, 23/08/2019

Kryetari i  Kuvendit Gramoz Ruçi ka drejtuar një përshëndetje në ditën e çlirimit të Dibrës dhe formimit të Brigadës XVIII

“Të nderuar ish partizane dhe ish partizanë, veterane e veteranë, pasardhës dhe pjestarë të familjeve të dëshmorëve  të Brigadës XVIII Sulmuese heroike.

Ju dërgoj përshëndetjet e mia të nxehta  të gjithëve në festën e bukur të 75 vjetorit të çlirimit të Dibrës dhe krijimit të Brigadës XVIII  të Ushtrisë së lavdishme partizane.

Është një ide e mençur festimi në një ditë i këtyre dy ngjarjeve të shënuara të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilat qëndrojnë si dy margaritarë të çmuar në gjerdanin e stolive të Dibrës beroike.

Ky bashkim na rikujton se çlirimi i Dibrës, ashtu si çlirimi i gjithë Shqipërisë, është vepër ekskluzive e Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare të partizanëve. 

Na rikujton se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte një ndeshje rreth gjashtëvjeçare e partizanëve dhe e popullit shqiptar me ushtritë e pushtuesve nazifashistë dhe kolaboracionistëve vendas.

Lufta kundër nazi-fashizmit e tradhëtarëve të atdheut nisi si një rezistencë popullore dhe çlirimi i Shqipërisë u kurorëzua me fitoren e një ushtrie të rregullt, me brigada, divizione e korparmata.

Idetë, ndjenjat dhe rezistenca antifashiste e popullit shqiptar nuk do të kishin çliruar Shqipërinë të vetme, pa krijimin dhe betejat e përgjakshme të Ushtrisë partizane, këtij uragani luftarak antifashist dhe çlirimtar.

Brigada e XVIII që përkujtojmë sot ishte një ndër formacionet më të lavdishme të këtij uragani.

Brigada XVIII formua në Sllatinë të Sllovës, nga batalionet partizane të Dibrës, Çermenikes e Martaneshit, si dhe me vullnetarë të rinj nga krahinat e Dibrës, që u organizuan në katër batalione. 

Këtë formacion mund ta quajmë edhe Brigada e Dibrës.  Me këtë emër nuk e kufizojmë atë në një formacion krahinor e lokal, por nënvizojmë të vërtetën  e madhe se Lufta dhe Ushtria Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishin vepër dhe meritë e të gjithë shqiptarëve.

Brigada XVIII ka në bilncin e saj beteja e fitore vendimtare për luftën çlirimtare.

Çlirimi i  Peshkopisë dhe gjithë Dibrës me 23 gusht 1944, beteja në malin e Korabit,shpartallimi i forcave kolaboracioniste  në Kalanë e Dodës dhe në Lumë, çlirimi i Kërçovës, Kukësit, Prizrenit etj. janë disa ndër krenaritë e saj.

Brigada e XVIII ngjiti në altarin e litisë dhjetra dëshmorë e heronj të popullit. Kjo përshëndetje nuk mjafton për të përmendur të gjithë komandantët, komisarët, luftëtarët, dëshmorët dhe heronjtë e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë.

Por duke shfletuar historinë e saj, po ndalem vetëm në një emer simbol: dëshmorja 17 vjeçare, Heroina e dy Popujve, Hibe Palikuqi, e cila dha jetën më 23 shtator 1944, në luftimet që zhvilloi Brigada XVIII Sulmuese për çlirimin e Kërçovës.

Hibe Palikuqi është Heroinë e Popullit të Shqipërisë dhe Heroinë e Popullit të Maqefonisë së Veriut. Ky fakt tregon se rrënjët e miqësisë midis dy vendeve tona ushqehen edhe nga lufta dhe koalicioni antifashist dhe se janë këto rrënjë që zhvillojnë respektin tonë të ndërsjelltë për komunitetet dhe grupet etnike si edhe aspiratën e përbashkët për tiu bashkuar familjes europiane.

Në këte ditë të shënuar për Peshkopinë, Dibrën dhe gjithë Shqipërinë, në kuadrin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut tonë të dashur, ështe rasti të  rikujtoj se trimëria, mençuria dhe ndershmëria e njerêzve të Dibrës ka qenë dhe mbetet një gur i çmuar dhe një aset i pazëvëndësueshëm për lirinë, demokracinë, zhvillimin dhe mirëqenien e Shqiperisë e të shqiptarëve.”, shkruhet në pershëndetjen e z.Gramoz Ruçi në ditën e çlirimit të Dibrës dhe formimit të Brigadës XVIII.


Letra përshëndetëse