Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme znj. Mimi Kodheli dhe znj. Ermonela Felaj, Kryetare e Komisionit të Sigurisë janë duke marë pjesë në Konferencën Ndërparlamentare për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e Mbrojtjen e Përbashkët europiane, që po zhvillohet në Helsinki

  • Postuar më, 06/09/2019

Në ditën e parë të punimeve konferencën e përshëndeti Presidenti i Finlandës i cili foli për domosdoshmërinë e të qënit të bashkuar në të gjitha vendimet e Bashkimit Europian. Ai ju përgjigj interesimit të parlamentarëve sa i përket marrëdhënieve me Rusinë dhe problemeve të sigurisë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së znj. Federica Mogherini gjatë fjalës së saj rikujtoi rëndësinë e unionit në vetvete. Ajo tha se unioni do të vijojë të mbajë angazhimet e tij ushtarake në të gjitha vendet ku sot vepron. 

Në konferencë një vëmendje e veçantë ju kushtua temës së integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane. Parlamentarët patën mundësinë të shkëmbenin ide dhe të paraqisnin qëndrimet e vendeve të tyre në lidhje me këtë temë. "Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një provë e madhe për vetë BE, madje aq i rëndësishëm sa konsiderohet si një ribashkim", - tha z. Wigermark, Kryetar i Delegacionit të BE-së në BosnjeHercegovinë. 

Znj. Kodheli në ndërhyrjen e saj tha se Shqipëria nuk e ka humbur entuziazmin për të qënë pjesë e BE. "Komisioni Europian ka rekomanduar dy herë hapjen e negociatave me vendin tonë, ndërkohë që puna për realizimin e reformave të kërkuara vijon. Ne nuk jemi stepur nga shtyrja e vendimit dhe shpresojmë për një përgjigje pozitive në tetor", u shpreh ajo. 

Konferenca riafirmoi se perspektiva e të qënit anëtarë të unionit është një e drejtë e popujve dhe vendeve jo anëtare, sikundër edhe një detyrim i të zgjedhurve të tyre në Parlament e qeveri, për të performuar me përgjegjësi dhe tolerancë në favor të çështjeve me interes të përbashkët. 

Meqenëse Kroacia merr Presidencën BE gjashtëmujorin e parë të vitit që vjen, konferenca ndërparlamentare e rradhës është parashikuar të mbahet në muajin mars në Zagreb.