Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, rrëzoi dy dekrete të Presidentit të Republikës

  • Postuar më, 06/09/2019

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, shqyrtoi dekretin e  Presidentit të Republikës "Për kthimin e ligjit nr. 38/2019 "Për disa shtesa ndryshime në ligjin nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore"". Të ftuar për këtë dekret ishin ministri i Shtetit për Diasporën z. Pandeli Majko dhe z. Bledar Dervishaj këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës.

Gjatë prezantimit të dekretit presidencial, z. Dervishaj në fjalën e tij tha se po krijohet një kompetencë e re e autoriteteve vendore. Ndërsa relatori i çështjes deputeti Bashkim Fino, u shpreh se Bashkia nuk e humbet të drejtën e pronësisë.

Pas diskutimeve, kryetari i komisionit z. Ulsi Manja e hodhi dekretin e Presidentit në votim i cili u rrëzua me votë nga anëtarët e komisionit.

Çështja e dyte e mbledhjes së komisionit ishte shqyrtimi i dekretit tjetër të Presidentit të Republikës, "Për kthimin e ligjit nr. 44/2019 "Për disa shtesa ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar. Të ftuar ishin ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj dhe këshilltari ligjor i Presidentit z. Bledar Dervishaj,

Në fjalën e saj, ministrja e Drejtësisë u shpreh se ndryshimet e propozuara në Kodin Penal kanë për qëllim luftën ndaj kriminalitetit.

“Duke pasur në konsideratë që ka pasur mungesë të instrumenteve për të luftuar forma të reja të krimit, janë sjellë këto ndryshime. Ky projektligj ka një rëndësi të veçantë. Ashpërsimi i veprës penale nuk është e vetmja rrugë, por nga nevoja e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, u sollën këto ndryshime”,- theksoi ndër të tjera znj. Gjonaj.

Pas diskutimeve dhe komenteve të ndryshme në komision, dekreti i Presidentit të Republikës u hodh në votim ku u rrëzua me votë nga anëtarët e komisionit.